Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka kontraktuar një operator privat për ta zgjeruar hapësirën e parkingut. Por kompania që po kryen këto shërbime, sipas disa fotografive të dërguara në adresë të Gazetës Sinjali, shihet se ka prishur hapësirën gjelbëruese.
Sipas sinjalizuesve, prishja e këtyre hapësirave nuk është pritur mirë as nga qytetarët e as nga një pjesë e stafit shëndetësor.
Gazeta Sinjali ka kërkuar nga Spitali i Pejës të sqarojë nëse prishja e hapësirave gjelbëruese është pjesë e planit për ta zgjeruar parkingun.
Nga drejtoria e spitalit kanë thënë se ajo pjesë ka qenë e pashfrytëzuar, prandaj parkingu është zgjeruar vetëm për personelin e spitalit.
“Zgjerimi i hapësirës së parkingut po bëhet me qëllimin që të sigurojmë vendparkingje që janë të domosdoshme. Parkingjet e deritanishme nuk kanë mjaftuar, dhe shpeshherë kemi pasur situatë kaotike në oborr nga makinat e shumta, andaj është bërë zgjerimi. Asnjë pishë nuk është në plan të dëmtohet dhe nuk është dëmtuar. Pjesa e zgjeruar ka qenë e pashfrytëzuar dhe së bashku me pjesën e deritanishme të parkingut do të jetë parking i rezervuar vetëm për personelin e Spitalit të Përgjithshëm Pejë”, thuhet në përgjigjen e spitalit për Gazetën Sinjali.
Ndonëse nga spitali kanë deklaruar që nuk është dëmtuar asgjë, në fotot e mëposhtme shihet se punimet po kryhen edhe në hapësirat gjelbëruese. /GazetaSinjali/