Shfaqja e rasteve me koronavirus te stafi i mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave në Komunën e Prishtinës, si duket nuk po i shqetëson prindërit e nxënësve të shkollës “Ismail Qemali” në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Kjo për shkak se ata nuk po respektojnë masat mbrojtëse kundër këtij virusi.
Në një video që një sinjalizues e ka dërguar në redaksinë e Gazetës Sinjali, shihen prindërit e “ngjitur” me njëri-tjetrin duke mos respektuar distancën, derisa po presin fëmijët e tyre që po dalin nga shkolla.
Kujtojmë që nga 14 shtatori kur filloi viti i ri shkollor në Kosovë, deri tani, dy shkolla të Komunës së Prishtinës kanë kaluar në mësim online, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pas konfirmimit të rasteve me koronavirus te mësimdhënësit.
Shkolla e parë e cila kaloi në mësimin online ishte shkolla fillore “Faik Konica”, 4 mësimdhënës të të cilës u infektuan me COVID-19.
Ndërsa, dy paralelet e shkollës “Nexhmi Mustafa” në Lebanë dhe në Rimanishtë vazhduan dje me mësim online, pasi që 4 mësimdhënëse dhe një teknik i shkollës janë infektuar me koronavirus./Gazeta Sinjali/