Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington ka thënë zgjedhjet në SHBA do të jenë një shpërqëndrim i madh për dialogun, pasi nuk do të mund t’i ofrojë vëmendje të nivelit të lartë në këto çështje.
I pyetur nga REL pasi Kurti ka thënë se është urgjente të rregullohen marrëdhëniet me Serbinë, përpara zgjedhjeve në SHBA [më 2024], Edward ka thënë:
“Ai nuk është i vetmi që është në dijeni të faktit se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje presidenciale në SHBA. Vitin e ardhshëm janë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
[Zgjedhjet] do të jenë një shpërqendrim i madh për SHBA-në dhe do ta bëjë atë më pak të prirë për të marrë iniciativa ose për të ofruar vëmendje të nivelit të lartë në këto çështje. Shumë e thonë këtë, jo vetëm Kurti. Pra, ka njëfarë presioni kohor. Dhe kjo, në fakt, mund të jetë një gjë e mirë, sepse mund t’i përqendrojë përpjekjet dhe mund ta bëjë SHBA-në dhe BE-në të jenë më serioze”, ka deklaruar Edwards.
Ndërkohë Edward ka folur edhe për krizën në Veri, duke treguar se në këtë rast çfarë përfitojnë kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq.
“Po ju them se kush nuk përfiton dhe ata janë të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri: serbë, shqiptarë, boshnjakë… Ata sigurisht që nuk përfitojnë. Por, përfitojnë të gjithë ata që janë përfitues të status quo-së. Ata përfshijnë strukturat në veri, të cilat përfitojnë nga fakti që nuk ka sundim të qëndrueshëm të ligjit në zonë.
Politikisht, unë do të thosha se Aleksandar Vuçiq përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar. Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit”, deklaroi ai.