image Presioni i ndërkombëtarëve për targat: Kurti s’lëshon pe, Vuçiq paralajmëroi ditë të vështira

Politikë

Presioni i ndërkombëtarëve për targat: Kurti s’lëshon pe, Vuçiq paralajmëroi ditë të vështira

news image

Ka nisur numërimi mbrapa për pronarët e makinave që posedojnë targa që i lëshojnë autoritetet serbe. Pas 31 tetorit, ata nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as të kalojnë kufirin. Kjo pasi është data kur kalon afati i vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave në RKS – Republika e Kosovës.

Makinat me targat që i lëshon Serbia që përmbajnë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, PR, PZ, GL etj. – do të konsiderohen të paregjistruara pesë ditësh, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat. Këtë e ka bërë të ditur para mediave të premten, pasi mori pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq ka thënë të martën se QUINT-i i ka kërkuar Kurtit që ta shtyjë vendimin për targat.

“Por Kurti ka qenë kundër”, ka thënë Vuçiq.

“Na presin kohë të vështira, do të jemi me serbët në Kosovë, të cilët kanë treguar se nuk duan ta dëgjojnë Kurtin e as të tjerët, por veten dhe ndërgjegjen e tyre”, ka shtuar më tej Vuçiq.

Ndryshe, shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

Zgjatje të afatit për heqjen e targave ilegale kanë kërkuar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore.

Vendimi për targat ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve armatosura që ndodhën në veri të vendit.

Vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

/GazetaSinjali/