image Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla takohen me ministrin e Jashtëm të Hungarisë

Politikë

Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla takohen me ministrin e Jashtëm të Hungarisë

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, sot janë takuar me  ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, raporton Gazeta Sinjali

Presidentja Osmani dhe ministri Szijjarto biseduan për dialogun me Serbinë, për të cilën presidentja tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur edhe nga ShBA-ja.

Ajo theksoi se palët në dialog duhet trajtuar si të barabarta dhe se procesi duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, brenda kufijve ekzistues.

Presidentja Osmani ia shprehu ministrit Szijjarto mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin që Hungaria ka dhënë për procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ne e çmojmë lart qëndrimin afirmativ të Hungarisë për liberalizimin e vizave për Kosovën,  si dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës”, tha presidentja. “Kosova i ka përmbushur prej kohësh të gjitha kërkesat e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe presim që përkushtimi i popullit dhe i institucioneve të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane të respektohet”, ka thënë presidentja Osmani.

Osmani gjithashtu theksoi raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Lidhjet mes popujve tanë janë të hershme dhe përkojnë me synimet e popujve tanë për t’i mbrojtur dhe promovuar vlerat evropiane”, ka thënë Osmani.

Ministrat e Jashtëm theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në shumë fusha dhe nënvizuan faktin se ofrimi i 75 bursave nga Hungaria për skemën “Stipendium Hungaricum” është një mundësi e shkëlqyer që të rinjtë tanë të marrin formim në fusha të ndryshme në Hungari, por edhe që ta njohin më mirë kulturën  hungareze./GazetaSinjali/