image Presidentja e Komisionit Evropian - Kurtit: Do të vazhdojmë të avokojmë për liberalizimin e vizave

Politikë

Presidentja e Komisionit Evropian – Kurtit: Do të vazhdojmë të avokojmë për liberalizimin e vizave

news image

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se perspektiva kredibile e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet i KE-së, duke kërkuar njëherësh vazhdimin e dialogut, i cili sipas saj, është thelbësor për progres në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Sinjali.  

Ajo ka thënë se e mirëpret zotimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga BE. Ajo ka thënë se është thelbësore që takimi tjetër i nivelit të lartë i dialogut të mund të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Von der Leyen në një letër urimi dërguar kryeministrit Kurti për marrjen e detyrës, ka thënë se do të vazhdojë ta mbështesë progresin e arritur në reformat në Kosovë, në mënyrë që kjo e fundit të avancojë sa më shpejt në rrugën e saj evropiane.

“Duke e njohur rëndësinë që ka për qytetarët e Kosovës, ne do të vazhdojmë të avokojmë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave. BE gjithashtu qëndron përkrah Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike edhe nëpërmjet Planit për Ekonomi dhe Investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, të miratuar në tetor 2020”, tha von der Leyen./Gazeta Sinjali/