image Presidenti zviceran: Kosova t’u garantojë serbëve shkallë adekuate të vetë-menaxhimit

Politikë

Presidenti zviceran: Kosova t’u garantojë serbëve shkallë adekuate të vetë-menaxhimit

news image

Presidenca zvicerane në një komunikatë për media ka njoftuar për takimin që ka pasur sot presidenti zviceran, Alen Berset me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë takim të tyre është biseduar për situatën në veri të vendit dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizim raportesh Kosovë-Serbi.

 Presidenti theksoi mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër në pranverë.

“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, diskutimet trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetë-menaxhimit për komunat me shumicë serbe“.

“Z. Berset theksoi rëndësinë që Zvicra i jep një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë zhvilluar në aspektin ekonomik, por potenciali i mëtejshëm mbetet. Siguria juridike dhe zbutja e tensioneve në rajon janë të rëndësishme në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë

Pas këtij takimi, është deklaruar edhe kryeministri Kurti në një konferencë për media, me ç`rast ka folur edhe ai për përmbajtjen e takimit.

“Me presidentin Berset njihemi që nga pjesëmarrja ime në Forumin e Davosit, në fillim të vitit. Me të kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, për rritjen e madhe të këmbimit tregtar, që në vitin 2022 ka qenë për një të tretën më i madh se një vit më parë”, ka deklaruar Kurti.

“Pastaj është nënvizuar edhe fakti se remitencat nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër përbëjnë një të pestën e të gjitha remitencave që vijnë në Kosovë. Po ashtu, në bashkëbidesim me presidentin Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër etj”, ka shtuar tutje.

/GazetaSinjali/