Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq do të bëjë një vizitë zyrtare në Kosovë dhe do të takojë edhe pjesëtarët e Ushtrisë Kroate të cilët janë duke shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Ai do të vizitojë Kosovën me ftesë të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Gjatë qëndrimit zyrtar në Prishtinë, presidenti Milanoviq do të zhvillojë një takim me presidenten Osmani, ku do të marrë pjesë në takimin e delegacioneve të dy shteteve dhe do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Faqja zyrtare e presidencës kroate, ka njoftuar se vizita e tij tek trupat kroate është planifikuar në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë pasi presidenti Milanoviq do ta kalojë natën e Krishtlindjeve me trupat kroate.
“Kontingjenti i 36-të kroat është i stacionuar në Republikën e Kosovës dhe përfshin 141 pjesëtarë të Ushtrisë Kroate. Kjo vizitë në Kosovë do të jetë një mundësi që presidenti Milanoviq të takohet dhe ta bisedojë edhe një herë personalisht me trupat kroate të cilët festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do t’i kalojnë larg familjeve të tyre”, thuhet në njoftim.
Më tej, është planifikuar takimi i presidentit kroat dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, presidenti Milanoviq do të vizitojë edhe Janjevën, me shumicë kroate./GazetaSinjali/