Rritjes së çmimeve nuk po iu shpëtojnë as kompanitë e autobusëve. Pas rritjes së çmimoreve në shumë komuna tjera, edhe në Prizren prej të martës çmimet e biletave do të rriten për afër 50 cent.
Relacionet të cilat do të përfshihen në ngritjen e çmimeve janë: Prizren – Rahovec, Prizren – Gjakovë dhe Prizren – Ratkoc.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar pronari i kompanisë “Mendi”, Qamil Kastrati. Ai tha se deri kah mesi i javës do të ketë rritje edhe në relacione të tjera.
Arsyeja e shtrenjtimit të çmimeve, sipas tij, është rritja e çmimit të derivateve, dëmi i shkaktuar nga pandemia dhe rritja e çmimit për pastrimin dhe mirëmbajtjen e autobusëve.
“Janë 100 arsye për shtrenjtimin e çmimeve të biletave. Deri tash kemi vendosur për këto relacione, mirëpo deri kah mesi i javës pritet të shtrenjtohen biletat edhe për relacionet tjera deri në Prishtinë“, tha Kastrati për Sinjalin.
“Bëhet fjalë për rritje simbolike, ku ka qenë 70 cent është bërë 1 euro, ku ka qenë 1 euro është bërë 1 euro e 30 cent, më së shumti deri në 50 cent“, tha ai.
Pak më parë Sinjali raportoi se çmimet për relacionin Gjakovë – Prishtinë janë rritur në 5 euro për shkak të shtrenjtimit të derivateve, që është lëndë parë furnizuese.