image Prania e lartë e qenve endacakë rrezikon qytetarët, Kosova nuk ka asnjë qendër për strehimin e tyre

Siguri/ Prania e lartë e qenve endacakë rrezikon qytetarët, Kosova nuk ka asnjë qendër për strehimin e tyre

news image

Mungesa e strehimit dhe ushqimit për qentë endacakë është një problem serioz në kryeqytet dhe jo vetëm. Numër i madh i tyre vërehet sidomos në hapësirat afër Bibliotekës Kombëtare, por edhe në sheshe dhe mjedise të tjera të Prishtinës, ndërsa nuk janë të pakta rastet kur qytetarët janë sulmuar prej tyre sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu pa dhënë shumë detaj ka thënë se komuna kontraktuar një kompani për trajtimin e kësaj problematike.

Komuna e Prishtinës, përmes operatorit ekonomik të cilin e ka të kontraktuar për trajtimin e qeneve endacakë ka trajtuar qentë endacakë të cilët qëndrojnë në hapësirat publike me trajtimin KSVL (Kastrim, Sterlizim, Vaksinim dhe Lirim)”, ka thënë ajo për Gazetën Sinjali.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 në Prishtinë është iniciuar një rast sulmi nga qentë endacakë dhe janë evidentuar katër raste të tjera të cilat nuk janë iniciuar. Kurse, në vitin 2019 në kryeqytet janë iniciuar dy raste dhe janë evidentuar pesë raste.

Shteti i Kosovës nuk e ka asnjë qendër për strehimin e qenve pasi një të tillë nuk e parasheh ligji aktual, por ka vetëm qendra për trajtim të përkohshëm.

Kemi lobuar në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit që të marrin vendime të ndërtojmë qendra të trajtimit të përkohshëm në nivel komunal, dhe përmes se cilave do bëhej ulja drastike e numrit të qenëve në këto dy qytete, si dhe do krijohej një mekanizem adoptimi shumë më i qëndrueshem i cili do monitorohej nga vetë shoqëria civile”, ka thënë për Gazetën Sinjali, Elza Ramadani udhëhëqse e Fondacionit për të drejtat e kafshëve.

Sipas Ramadanit, asnjë institucion shtetëror nuk ka kapacitet njerëzor dhe as financiar për t’i mbajtur qindra qen në një vend. Ajo ka njoftuar se rajoni i Prishtinës ka disa qendra, të cilat i strehojnë qentë endacakë.

Në Kosovë ekzistojnë disa vende që i strehojnë qentë, i shërojnë, ua mundësojnë adoptimin në Kosovë por edhe në numër të madh jashtë Kosovës. Një në Prishtinë, një në Graçanicë, një në Obiliq dhe një në Fushë Kosovë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, qendër të trajtimit të përkohshëm momentalisht është vetëm një në Gjakovë teksa është duke u ndërtuar në Vushtrri dhe priten të ndërtohen në Prishtinë dhe Ferizaj.

Vlen të ceket që strehimore të cilat janë të regjistruara si të tilla nuk ka në Kosovë, përveç Qendrave për Trajtim të Përkohshem që gjendet një në Gjakovë dhe një është duke u bërë në Vushtrri, kurse Komuna e Prishtinës në vitin 2020 do ta ndërtojë, pikërisht në Prishtinë dhe veçese jemi në bisedime me Komunën e Ferizajit mbi idenë e ndërtimit të një qendre të tillë”, ka thënë ajo.

Qendrat shërbejnë për qëndrim të përkohshëm të qenve nga momenti i zënies, fazat e trajtimit mjekësor, shërbimet që duhet të marrin duke përfshirë kastrim- sterilizimin dhe koha deri në momentin kur kafsha vlerësohet se gëzon gjendje të mirë shëndetësore dhe kthehet në vendin e zënies.

Zëdhënësi i AVU-së, Lamir Thaçi, ka thënë se janë duke shqyrtuar ofertat dhe pas përfundimit të procedurave shumë shpejtë do të fillojë fushata për trajtimin e qenve endacakë, si vazhdimësi e projektit të realizuar gjatë vitit 2018.

Baza kryesore e këtij projekti është kapja, sterelizimi, vaksinimi, identifikimi, mjekimi dhe lëshimi në vendin e kapjes.  Në rastet kur qeni është agresiv apo dyshohet në sëmundje infektive  bëhet eutanazia e tij, kjo bazuar në vlerësimin e mjekut veterinar i cili sipas ligjit dhe procedurës vepron. Projekti përfshinë gjithë territorin e vendit,  ku do të trajtohet numri i qenve varësisht nga kontrata me praktikat e licencuara veterinare.”, ka thënë Lamir Thaçi për Gazetën Sinjali.

Sipas Thaçit, qentë mund të bartin dhe të përhapin sëmundje të ndryshme në vend dhe për këtë arsye AUV ka marrë përsipër trajtimin e tyre.

Qentë sigurisht konsiderohen si bartës të sëmundjeve të ndryshme, ku përveç rrezikut fizik qe ato shfaqin mund të paraqesin edhe rrezik të përhapjes se sëmundjeve të ndryshme. Për ketë arsye shteti gjegjësisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marr si obligim trajtimin e kësaj problematike për ta ruajtur shëndetin publik. Të gjithë qentë të cilët trajtohen, vaksinohen kundër sëmundjeve ku përfshihet edhe tërbimit, marrin të gjitha shërbimet mjekësore të nevojshme për ruajtje të shëndetit të vet kafshës”, ka thënë Lamir Thaçi.

Tutje ai ka treguar se kafshët në Kosovë nuk janë prekur nga tërbimi për një kohë të gjatë dhe se për këtë sëmundje saksinohen nga ajri sidomos dhelprat të cilat janë kafshët që më së shumti e përhapin këtë sëmundje.

Për sëmundjen e tërbimit,  si shtet kemi filluar të paret në Ballkan, vaksinimi nga ajri kundër tërbim, tani e disa vite jemi duke zhvilluar projektet të cilat financohen nga BE. Vaksinohen dhelprat  pasi këto kafshë janë burim kryesor i kësaj sëmundjeje qe pastaj transmetohet tek qentë dhe tek njeriu. Sëmundja e tërbimit nuk është prezentë në Kosovë. Për një kohë të gjatë nuk është regjistruar asnjë rast i prezencës se sëmundjes se tërbimit”, ka thënë zëndhënësi i AUV. 

Elza Ramdani udhëheqësja e Fondacionit për të drejtat e kafshëve të cilat në fokus primar kanë kafshët endacake, ka thënë se kanë monitoruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë procesit të kapjes, kastrim, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit ku në këtë projekt ishin procesuar rreth 14 mijë qenë endacakë.

Përveç kësaj jemi duke shtyrë të njëjtin institut që të krijojë databazën nacionale të regjistrimit të qenëve me pronarë, çka do ndikontë në masë të madhe të lehtësimi të punës se inspektoriateve e policisë karshi sjelljes së pandërgjegjeshme të qytetarëve si me braktisjen e qenëve në rrugë e abuzimet tjera të cilat veçese ndodhin”, ka thënë Elza Ramadani

Ramadani ka bërë thirrje që të gjitha strehimoret e qenve të regjistrohen si Organizata joqeveritare dhe të bëjnë një plan dhe strukturë të punës së tyre, sepse vetëm kështu mund të ndihmohen edhe më shumë kafshët e pastreha në Kosovë. /Gazeta Sinjali/