Ndonëse konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës janë dy procese të ndara, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po përpiqen që të finalizojnë marrëveshjen eventuale të koalicionit qeverisës, para seancës konstituive të Kuvendit, të thirrur më 24 dhjetor.
Posti i kryetarit të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës dikton një dinamikë të tillë. Në bazë të Kushtetutës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, por nëse LVV-ja dhe LDK-ja merren vesh, ky post mund t’idorëzohet edhe partisë së dytë, LDK-së.
Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është e domosdoshme në këtë moment.
Sipas tij, për këtë i obligon vullneti i elektoratit, por edhe nuk duhet të rrezikojnë shkuarjen në zgjedhje të reja pa e pasur vendi një buxhet të miratuar për vitin pasues. Ai thotë se, mosmarrëveshjet aktuale ndërmjet dy partive, lidhen me insistimin e LDK-së për postin e presidentit të vendit.
“Mosmarrëveshja lidhet me një perceptim nga Lëvizja Vetëvendosje që LDK-ja është duke kërkuar shumë, që në këtë rast është posti i presidentit, Mirëpo, unë mendoj që në ato fusha ku Vetëvendosje ka premtuar në zgjedhje reforma, është presidenti i vendit, që ka ingerencat kryesore. Vetëvendosje ka tentuar që ta kompensojë këtë duke kërkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, sepse kjo ka qenë pjesa thelbësore e fushatës së tyre (zgjedhore), por, megjithatë, duket se brenda LDK-së ka rezistencë ose ka një përpjekje që Ministria e Punëve të Brendshme mos t’i lihet Lëvizjes Vetëvendosje dhe të insistohet në të deri në fund”, vlerëson Muja.
Gjatë ditës së mërkurë janë takuar liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të punuar drejt arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.
Pas takimit, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se takimet do të intensifikohen edhe ditëve të ardhshme, deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Po ashtu, edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit të së mërkurës, kanë thënë se të dy liderët janë pajtuar që t’i intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive.
Arbëria Nagavci, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dy partive, u mbetet të pajtohen për emrat që do të qeverisin me dikasteret dhe cila parti me cilat dikastere do të qeverisë, si dhe çështja e postit të presidentit të vendit, mandati i të cilit skadon në vitin 2021. Kjo e fundit, sipas saj, për Lidhjen Demokratike të Kosovës është çështje me prioritet.
“Atëherë ne jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera, por duke pasur paraprakisht një pajtim për postet e zbrazura, pra, për ministritë. Pas arritjes së marrëveshjes së plotë për këtë, nëse për LDK-në është me interes hapja e çështjes së presidentit, ne mund të diskutojmë për këtë temë, por sigurisht duke i vendosur kornizat dhe në bazë të kritereve që të mos shkelet Kushtetuta, si dhe t’i kryejmë të gjitha obligimet tona si subjekte politike, në mënyrë që të kemi një president apo presidente konsensuale”, thotë Nagavci.
Ajo shton se marrë parasysh që tashmë është arritur pajtimi për programin qeverisës, ekziston optimizëm që dallimet dhe pengesat e caktuara do të mund të tejkalohen dhe të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, para datës 24 dhjetor, për kur edhe është caktuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Por, çfarë nëse nuk arrihet një marrëveshje për koalicion qeverisës deri në atë kohë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Nagavci thotë se të gjitha përpjekjet janë duke u bërë që një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të arrihet para datës 24 dhjetor, në mënyrë që të gjitha institucionet të bëhen funksionale.
“Por, në situatën më të keqe të mundshme, pra, nëse nuk arrihet një marrëveshje, pa fajin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëse vijmë në një situatë ku do të ketë zgjedhje të reja, ne jemi të gatshëm për këtë çështje”, shprehet Nagavci, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje do të sillet duke respektuar parimet, për të cilat kemi marrë besimin nga qytetarët, përmes votës së lirë.
Ndërkaq, analisti Muja thotë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 24 dhjetor , në rast se deri atëherë nuk e arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje, do të jetë test për të dy partitë, LVV-në dhe LDK-në.
Sipas tij, edhe pa një marrëveshje të tillë, përbërja e re e Kuvendit mund të konstituohet, por Kuvendi nuk mund të operojë dhe të bëhet funksional pa u zgjedhur organet e tij, kryetari, nënkryetarët dhe komisionet parlamentare.
“Lëvizja Vetëvendosje, në rast se nuk ka një marrëveshje, mund të insistojë që të mos votohet kryetari i Kuvendit dhe aty mund të bllokohet gjithçka. Pa ndonjë marrëveshje nuk mund të zgjidhet krye-parlamentari, që në këtë rast i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe në mungesë të kësaj, është problem për të gjetur një marrëveshje”, thekson Muja.
Ai, gjithashtu, shpreh mendimin që në rast se nuk do të ketë një marrëveshje për koalicion qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje do të ndjekë strategjinë që të mos zgjidhen trupat e Kuvendit, në mënyrë që ajo të mos rrezikohet nga anashkalimi i partive të tjera dhe të shkohet prapë në zgjedhje.
Sipas analistit Muja, pa një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, seanca konstituive e Kuvendit mund të zgjasë për aq kohë derisa ajo marrëveshje të arrihet, ose të vendoset që të shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.
Kushtetuta e Kosovës nuk e ka paraparë ndonjë afat kohor për sa duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit. /REL