image Porsche dëshiron ta bëjë benzinën po aq ekologjike sa makinat elektrike

Automjete

Porsche dëshiron ta bëjë benzinën po aq ekologjike sa makinat elektrike

news image

Prodhuesi gjerman i automobilëve luksozë ka investuar shumë në elektromobilitet. Por me një karburant të pastër sintetik, Porsche dëshiron t‘i mbajë më gjatë në rrugë modelet e vjetra.

Kalimi te elektromobiliteti mund të jetë qëllimi kryesor i industrisë së automobilëve. Tek Porsche besojnë ende te motori me djegie të brendshme – megjithëse edhe këtu investohen tashmë miliarda për zhvillimin e modeleve elektrike. Prodhuesi gjerman i makinave kërkon alternativa ekologjike, me qëllim që modelet e tij luksoze të lëvizin në rrugë edhe në të ardhmen, njofton DW.

Fjala është për elektro-karburantet apo e-fuels, benzinë sintetike metanoli, e prodhuar me hidrogjen ekologjik nga energjia e rinovueshme. Karburanti digjet njëlloj si benzina e bërë prej nafte, por pa emisione të gazrave serë. Mund të shitet në mbarë botën në rrjetin ekzistues të pompave të karburantit dhe pronarëve të porscheve nuk u duhet të ndërrojnë motorët.

Muajin e kaluar Porsche njoftoi se karburanti i parë do të jetë gati në vitin 2022. Nëse benzina sintetike implementohet me të vërtetë me sukses, Porsche mund të kursejë miliona euro nga gjobat e vendosura nga BE për shkak të objektivave të mbrojtjes së klimës. Shtetet e BE ranë dakord në 2014, që prodhuesit e makinave deri në vitin 2020 të kufizojnë emetimet CO2 në 95 gram për kilometër për të gjitha modelet. Përndryshe, duke filluar nga ky vit, ata do të gjobiten. Edhe pse shumica e prodhuesve kanë shitur automjete elektrike dhe hibride më ekologjike për mjedisin, kjo nuk mjafton për të përmbushur kriteret e BE.

Impiant i ri karburanti në Kili

Lënda djegëse ekologjike do të prodhohet në jug të Kilit. Atje Siemens Energy po ndërton së bashku me Porschen një impiant të ri industrial të quajtur Haru Oni, që do të shfrytëzojë erërat në këtë rajon. Atje ndodhet parku më i madh i erës në Amerikën e Jugut.

Zëdhënësi i Porsches Peter Gräve i tha DW se “karburanti fillimisht do të përdoret për aktivitetet e sporteve motorike të Porsches”.

Kjo është interesante, sepse qarkullojnë fjalë, që prodhuesi i makinave sportive mund të kthehet në Formula 1 pas 30 vitesh mungesë. Formula 1 është obliguar për integrimin e karburanteve sintetike në sport deri në vitin 2025. Nëse projekti pilot ka sukses, karburanti do të përdoret edhe në modelin ekzistues.

Në planin afatmesëm e-fuels kanë potencial të kombinojnë të ardhmen me traditën”, parashikon Gräve.

Nga vlerësimet aktuale parashikohet se në vitin 2040 do të ketë akoma në rrugë miliona automjete me motorë me djegie të brendshme.

Lëndët e para sintetike mund të përftohen nga qymyri, gazi apo lënda e parë nga biomasa dhe mund të prodhohen me metoda të ndryshme.

Si qëndron puna me elektromobilitetin?

Porsche e ka bërë të qartë se investimet në prodhimin e e-fuels nuk do të zëvendësojnë hyrjen e teknologjisë së elektromobilitet.

Elektromobiliteti vazhdon të ketë përparësinë më të lartë në Porsche”, theksoi Gräve dhe shtoi se kompania i sheh e-fuels si një shtesë për strategjinë e saj elektrike. Në raportin financiar për vitin 2020 Porsche njoftoi se deri në vitin 2025 gjysma e gamës së modeleve do të jenë elektrike ose hibride.

Deri në 2024 kompania planifikon të investojë rreth dhjetë miliardë euro në hibridizimin, elektrifikimin dhe dixhitalizimin e makinave të saj. Pas prezantimit të Taycan-it elektrik në prill 2019, pasoi Cross Turismo. Kompakt-SUV Macan do të dalë në treg vitin e ardhshëm. /Gazeta Sinjali/