Partitë politike në Kosovë dhe kandidatët për kryeministër të vendit janë duke shfrytëzuar çdo mundësi për të promovuar vetën.
Njëra ndër mënyrat është edhe sponsorizimi i statuseve në llogarinë sociale Facebook, përmes së cilës liderët partiakë synojnë të shfaqën sa më shumë tek qytetarët, raporton Gazeta Sinjali.
Kadri Veseli që është kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së që po shpenzon aktualisht më së shumti në Facebook për ta promovuar vetën. Aktualisht Veseli ka 23 postime për të cilat e ka paguar Facebook-un që postimet t’iu shfaqen edhe personave që nuk e ndjekin në llogarinë e tij në Facebook.
Shumica dërmuese e postimeve të Veselit që i ka sponsorizuar janë nga aktivitet e tij në para-fushatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.
Në mesin e postimeve të kreut të PDK-së është edhe ai me futbollistët e Kombëtares së Kosovës që ishte bërë para ndeshjeve të fundit për Euro2020. Në fakt Veseli nuk është hera e parë që përdor suksesin e futbollistëve kosovarë për të promovuar veten, shkruan Gazeta Sinjali.
Madje Veseli disa muaj më parë kishte thyer të gjitha protokollet e UEFA-s kur ishte futur në zhveshtore të Kosovës pas ndeshjes me Bullgarinë ku kishte mbajtur fjalim, duke bërë që asnjë nga futbollistët të mos prononcohet për UEFA-n, pavarësisht se kishte qenë kohë e rezervuar për Kombëtaren e Kosovës.
Pas Veselit, Vjosa Osmani, është kandidatja për kryeministre e cila ka sponsorizuar më së shumti statuse në Facebook. Ajo ka shpenzuar në 11 postime të saj të cilat kryesisht lidhen me aktivitet e saj për zgjedhjet e 6 tetorit.
Osmani ka sponsorizuar shkrimet dhe videot që lidhen me aktivitet e saj në prag të zgjedhjeve.
Në anën tjetër Ramush Haradinaj, që është kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD ka sponsorizuar plotë 7 shkrime. Haradinaj njëjtë si Veseli ka përdorur sportin që ta promovoj veten.
Por përderisa Veseli e ka bërë me futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Haradinaj ka përdorur suksesin e Majlinda Kelmendit, kampiones së xhudos.
Fatmir Limaj që po synon postin e kryeministrit nga radhët e koalicionit Nisma, AKR, PD, është më pak aktiv në sponsorizonim e postimeve të tij.
Ai ka sponsorizuar tri shkrime që kanë të bëjnë me aktivitet e tij para-fushatës. Postimet që i ka sponsorizuar kanë të bëjnë me punësimet dhe me hapjen e vendeve të punës për të rinjtë.
Në anën tjetër, kandidati i Vetëvendosjes, për kryeministër Albin Kurti, nuk ka sponsorizuar asnjë shkrim.
Por përderisa Albin Kurti nga llogaria e tij nuk ka sponsorizuar asnjë shkrim, ndryshe është me llogarinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti politike ka të sponsorizuar 5 shkrime. Më së shumti nga llogaritë e partive politike.
Aty shihen se janë sponsorizuar disa fjalime të Albin Kurtit, por edhe për mënyrën se si duhet të votojnë mërgimtarët në zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo për faktin se kjo parti politike pretendon se do të marrë besimin e tyre.
Përveç, VV-së edhe llogaritë zyrtare të PDK-së kanë sponsorizuar tri shkrime, AAK-së dy postime si dhe ajo e LDK-së një postim.
Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon nesër, por partitë politike janë angazhuar menjëherë pasi është shpërndarë Kuvendi i Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 6 tetor./Gazeta Sinjali/