Policia e Kosovës ka arritur që të t’i marrë fotografitë e dy të dyshuarve që e dërguan në emergjencën e Ferizajt pa shenja jete një 18-vjeçare, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se fotografitë janë marrë nga kamerat e sigurisë.
Tutje ai ka shtuar se fotografitë e të dyshuarve janë shpërndarë në pika kufitare dhe nëpër drejtori të policisë.
Sipas tij të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturë të tipit Audi me tabela zvicerane.
“Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit, ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës”, tha ai.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka njoftuar se ende nuk dihet identiteti i viktimës.
“Tani për tani nuk dihet identiteti i sajë dhe rrethanat e vdekjes, policia menjëherë ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po e heton këtë rast”, ka thënë ai për Sinjalin.