Në vazhdën e aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, me njësitet e tyre të Anti-drogës, bastisje kundër narkotikëve janë duke u zhvilluar edhe në lagjen “Marigona”, në Çagllavicë.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në këtë lagje është prezente njësia e Anti-drogës dhe Dogana e Kosovës.
Bastisje janë kryer edhe në disa lokacione të tjera në Prishtinë dhe në Pejë.
Gjatë ditës së sotme janë konfiskuar më shumë se 80 kilogramë drogë të llojit heroinë në Han të Elezit. Në këtë aksion 7 persona janë arrestuar kurse dy të tjerë janë në kërkim.
Kryeprokurori Shukri Jashari, në një konferencë për media ka dhënë detaje në lidhje me këtë aksion që ka zhvilluar Policia e Kosovës.
Ai tregoi se droga kishte destinacion qytetin e Prishtinës.
“Destinacion ka pasur Prishtinën, gjatë kontrollës është dyshuar se kanë qenë edhe 32 reflektorë në të cilët kanë qenë të paketuar nga 5 qese të substancave narkotike, gjithesej 160 paketime”, ka treguar Jashari.