Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste të ndara, në tri rajone, ka arrestuar tetë persona nën dyshimin e bazuar të kryerjes së veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Policia ka njoftuar se të arrestuarit janë personat me inicialet H.T., A.V., A.Ç., Rr.B., B.M., E.M., B.M. dhe S.M. Ndërkaq arrestimet janë kryer në Pejë, Gjakovë dhe Prizren.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, më 15.09.2021, 16.09.2021 dhe 17.09.2021 në tre raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar 44,150 euro para kesh, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000 euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona.