Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se u infektua me COVID-19 gjatë orarit të punës. Shërimi i tij i kushtoi afro 2 mijë euro. Në mungesë të një sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Tasholli, u detyrua që të paguajë vetë për shërimin e tij.
Tasholli në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vetëm me 210 euro e ka ndihmuar drejtoria e shëndetësisë për shërimin e tij ndërsa të gjitha shpenzimet i ka paguar vetë.
“Kam qenë 2 javë në spital. Kam pasur shpenzime. Më kanë paguar drejtoria e shëndetësisë vetëm 210 euro barna a shpenzimet i kam pasur afër 2.000 euro, do të thotë aq ka paguar. Është shumë e pakuptimtë që të bëhen shpenzime prej 2.000 euro për ata njerëz që kanë qenë në spitale”, tha ai.
Siç thotë Tasholli me rrogën bazë që kanë policët prej 390 euro është e pamundur t’i mbulojnë shpenzimet e tyre në rast të problemeve shëndetësore.
Sipas tij, në çdo palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për sigurim shëndetësor jetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të sigurimeve, Sami Mazreku, ka thënë se ndër takimet e para të tij zyrtare ka qenë me Policinë e Kosovës ku temë diskutimi ishte që ata të pajisen me sigurime shëndetësore.
Mes tjerash, Mazreku shtoi se kanë dërguar propozime për 8 mijë policë, ku kostoja është rreth 4 milionë euro.
Ai tha se propozimi i tij ka qenë të bëhet një zgjidhje alternative që çdo vit të ndahen
“Ajo çka kemi bërë ne që anën teknike procedurale, zyrtare dhe profesionale e kemi bërë. Kemi mbajtur disa takime dhe kemi dërguar propozime konkrete dhe kostoja nuk ka qenë e lartë pa marrë parasysh që bëhet fjalë për rreth 8 mijë policë dhe një kosto përreth 4 milionë euro nëse ka qenë shuma për dy polisa të sigurimeve për 8 mijë policë. Propozimi ynë ka qenë meqenëse ligji për sigurimin shëndetësor nuk po zbatohet kemi propozuar që të bëjmë zgjidhje alternative që çdo vit të ndajmë fonde për Policinë e Kosovës derisa ligji të hyjë në fuqi”, tha Mazreku. /Gazeta Sinjali/