Pas reshjeve të borës, Policia e Kosovës kërkon kujdes më të madh nga drejtuesit në trafikun rrugor dhe posedim të pajisjeve dimërore për automjetet e tyre.
Pajisjet dimërore, duhet të posedohen deri më 15 mars të vitit 2020.
“Reshjet e borës që kanë filluar në territorin e vendit varësisht prej intensitetit të tyre mund të krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, posaçërisht gjatë natës apo gjatë orëve të hershme të mëngjesit”, thuhet në apelin e PK-së.
Prandaj, theksohet në apel, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të posedojnë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, si dhe të jenë më vigjilent.
“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, përfundon apeli i Policisë së Kosovës. /Gazeta Sinjali/