image Policia e gjeti 6 muaj pas zhdukjes, por 15-vjeçarja nga Gjakova refuzon të takohet me prindërit

Kosovë

Dhimbja/ Policia e gjeti 6 muaj pas zhdukjes, por 15-vjeçarja nga Gjakova refuzon të takohet me prindërit

news image

Yllka Derri, zyrtarisht kishte qenë e zhdukur që nga qershori deri në dhjetor të vitit të kaluar, por përkundër se Policia e Kosovës e gjeti të miturën, ajo nuk është kthyer në shtëpi tek prindërit e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Nëna e 15-vjeçares, Teuta Derri, ka thënë për Gazetën Sinjali, se përkundër që është gjetur vajza e saj nga Policia e Kosovës, ajo nuk është kthyer ende në shtëpi. Ajo thotë se janë ankuar në të gjitha institucionet, por askush nuk ua ka kthyer vajzën e tyre.

Pretendimet e nënës së Yllkës janë se vajza e tyre është intervistuar nga Policia e Kosovës pa praninë e prindërve.

“Edhe sot e kësaj dite Yllka është në shtëpi te Blerim Radostes, nuk e dimë në çfarë rrethana është vajza jonë as në telefon nuk po kontakton me neve, shumë padrejtësi na është bërë prej policisë . Për 2 orë është marrë në pyetje pa pranin tonë si prindër, e lejuan që të kthehet prapë atje pa u pyetur ne fare. Tash jemi në pritje çka është ka ndodh me vajzën time, ku është policia, prokuroria, gjykata. Ku janë s’po dimë ku mu drejtua më”, ka thënë ajo për Gazetën Sinjali.

Sipas saj e gjithë kjo po bëhet me pretendimet se kinse vajza e saj nuk po dëshiron të flas me prindërit.

“Arsyeja është kinse nuk po dëshiron me fol me neve, por këto janë lojëra të Blerimit se cili fëmijë nuk dëshiron mu taku për prindërit e vet”, ka deklaruar Derri më tutje.

Në anën tjetër zyrtarja për informim në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Yllka Shehu, ka deklaruar për Gazetën Sinjali se e mitura ka refuzuar të kthehet në shtëpi tek prindërit e saj, si dhe ka kundërshtuar të takohet me ta.

Prokuroria ka konfirmuar se e mitura është duke jetuar në shtëpinë e Blerim Radostës, personi që ishte arrestuar në mesin e dhjetorit, kur e mitura ishte gjetur.

“Pas bastisjes së shtëpisë së Blerim Radosta, me datën 18.12.2019, janë gjetur djali I tij Besart Radosta dhe e mitura Yllka Derri. E mitura Yllka, e dëgjuar në polici, ka kundërshtuar të kthehet në shtëpinë e saj, tek prindërit e saj. E njëjta në deklaratën e saj në polici, ka kundërshtuar të takohet me prindërit e saj, dhe aktualisht është duke jetuar në shtëpinë e Blerim Radosta”.

“Në lidhje për të njëjtin rast është duke u zhvilluar procedura hetimore, e pas përfundimit të procedurës do të vendoset për ngritjen e aktakuzës”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Yllka Shehu.

Yllka Derri ishte raportuar e zhdukur më 14 qershor të këtij viti nga prindërit e saj. Ajo ishte nisur për të shkuar në shkollë, por prindërit e saj pretendojnë se kishin pranuar një telefonat nga Blerim Radosta i cili u kishte thënë se vajza e tyre është me djalin e tij, Besartin.

Gazeta Sinjali, kishte raportuar ekskluzivisht në dhjetor të këtij viti se e mitura vazhdon të jetë e zhdukur prej 6 muajve. Vetëm 8 ditë pas raportimit të Gazetës Sinjali, Policia e Kosovës e kishte gjetur të miturën në shtëpi të Blerim Radostës.

Gazeta Sinjali, po ashtu kishte publikuar një audioincizim të Yllka Derrit e cila kërkonte që babai i saj të telefononte gjatë kohës sa ajo ishte zhdukur. Yllka Derri ishte gjetur më 18 dhjetor nga Policia e Kosovës në shtëpinë e Besart Blerim Radostës. /Gazeta Sinjali/