image Polici nga Gjakova që u solidarizua me ngacmuesin ishte i arrestuar për korrupsion e keqpërdorim detyre

Siguri

Polici nga Gjakova që u solidarizua me ngacmuesin ishte i arrestuar për korrupsion e keqpërdorim detyre

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për deklaratën skandaloze të zyrtarit policor kufitar nga Gjakova, Ismet Devës, i cili në një postim të Sinjalit në Facebook, ka arsyetuar një rast të sulmit seksual që e ka denoncuar një grua në Fushë Kosovë. Duke u solidarizuar me ngacmuesin ai shkroi se “Hajt se nuk ja ka heke naj cope, nuk eshte ba nami…. Sigurisht se ai i shkreti eshte nale ne gjysme te rruges, asaj i ka ardhe inati e eshte anku….”. Ky koment shkaktoi reagime të ashpra nga lexuesit, të cilët e kritikuan arsyetimin e rasteve të tilla.

Por kush është Ismet Deva?

Ismet Deva, 56-vjeçar, zyrtar policor kufitar në Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Qafë Morinë, ishte arrestuar në aksionin e  Inspektoratit Policor të Kosovës, të zhvilluar më 14 mars, në koordinim me Prokurorinë Speciale. Gjatë këtij aksioni, të koduar si “Pika”, Deva bashkë me 47 zyrtarë policorë të tjerë, ranë në prangat e Policisë, si të dyshuar për korrupsion.

Ai dyshohet se duke vepruar në mënyrë të organizuar, por edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe për tjetrin, bashkë me zyrtarët policorë të tjerë të arrestuar kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke pranuar ryshfet  nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke iu mundësuar të hyjnë përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore.

Sinjali mëson se sipas Prokurorisë Speciale, Ismet Deva po dyshohet se në periudhën kohore nga data 22 gushti 2021 e deri më 18 dhjetor 2021, në cilësinë e zyrtarit policor me detyrë në Qafë Morinë, duke qenë i vetëdijshëm ka vepruar në kundërshtim me ligjin, me qëllim që kolegëve të tij t’u sjellë përfitim pasuror.

Sipas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria, më 14 tetor 2021,  Ismet Deva, derisa ishte në detyrë, në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit – Vija e Gjelbër në Ponoshec ka ndaluar një automjet i cili ishte duke transportuar mallra të pa doganuara, por me insistimin e zyrtarëve policorë Gëzim Hoxha, Rasim Tolaj, Hamëz Puka dhe Rreshter Demë Lokaj, e liron atë, duke shmangur pagesën e tarifave doganore të përcaktuara sipas Kodit të Doganave dhe Akcizave të Republikës së Kosovës.

Veprimet e tilla, polici Deva dyshohet se i ka kryer në disa raste vet si zyrtar, e në disa të tjera duke bashkëvepruar me kolegët e tij.

Kështu, ai dhe policët e tjerë dyshohen për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit, kontrabandimi i mallrave, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/