image “Polici me rroba civile ma drejtoi armën, kolegët e tij më keqtrajtuan brutalisht” – Denoncimi i të riut nga Gjilani për arrestimin e tij (PAMJE)

Siguri

“Polici me rroba civile ma drejtoi armën, kolegët e tij më keqtrajtuan brutalisht” – Denoncimi i të riut nga Gjilani për arrestimin e tij (PAMJE)

news image

G. Osmani, 23-vjeçar nga Gjilani po pretendon se është keqtrajtuar nga disa zyrtarë policorë, të cilët e arrestuan pak para mesnatës së 4 prillit, në lagjen “Dardania” të këtij qyteti. Arrestimit, sipas tij i parapriu një konflikt verbal që i njëjti thotë se e kishte me një zyrtar policor, që ishte jashtë detyrës zyrtare dhe siç thotë i riu ia drejtoi revolen. Qytetari ka rrëfyer për Sinjalin versionin e tij të ngjarjes dhe ka njoftuar se ka dërguar ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës. Sinjali po ashtu ka siguruar pamjet nga momenti i arrestimit të 23-vjeçarit.

Gjithçka sipas të riut nisi pasi hyri në një rrugë një kahëshe, kur mbrapa tij u ndal një veturë, në të cilën ai thotë se ishte polici (emër i njohur për redaksinë), pa uniformë të Policisë. Ai thotë se zyrtari ia drejtoi revolen, por që në ato momente nuk kishte informacione se i njëjti është polic.

I riu ka deklaruar se e ka pyetur këtë person se kush është, teksa ky i fundit, sipas tij ia ka kthyer “qetash të tregoj unë” dhe e ka telefonuar Policinë.

“Rruga ku kam hyrë për të marrë bukë për syfyr ka qenë një kahëshe, unë kam deshtë me dalë mbrapa për mos me u sjellë rreth e rrotull, duke dashtë me marrë drejtimin, një veturë “Skoda”, me xhama të zi u ndal mbrapa meje, shoferi i saj i ra borisë, e hapi xhamin dhe filloi me sha, e kam pa dhe e kam dëgju kur e ka raportit revolen, kam dalë prej veturës time dhe kam fillu me bërtitë kush je ti që ma drejton revolen, ai nuk mu ka përgjigj, veç më ka thënë që tash të tregoj unë, në atë moment një person ka hy në mes, ky personi (polici) e ka ulë revolen dhe e ka fut në brez.

Mesa më kujtohet i njëjti person e thërret policinë, e mua më thotë tash kom me të tregu se kush jam unë. Unë tërë kohën kam mbajtë distancë të mjaftueshme. Pas pak minutave ka ardhë policia, unë kam qëndru drejt dhe i relaksuar, duke besuar se policia do të kapin atë person që për mua ishte i panjohur.“

I riu tha për Sinjalin se në momentin që kanë arritur policët në vendin e ngjarjes e kanë kapur brutalisht, duke e rrëzuar përtokë, si dhe e kanë keqtrajtuar. Për shkak të lëndimeve, ai tha se ka marrë trajtim në spitalin e Gjilanit.

“Por policët posa kanë dalë nga vetura zyrtare pa më pyetur fare më kap brutalisht më kanë rrëzu përtokë, më kanë goditë me shkelma në kokë, më kanë gju mbi trup, ma kanë dëmtu krahun, në trup kam lëndime, gjurin ma kanë dëmtu. Edhe në kokë kam pas dhimbje të mëdha.”

Tutje, ai u shpreh se keqtrajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së transportimit për në stacion policor.

“Edhe kur më kanë prangos e më kanë fut në veturën zyrtare më kanë rrahur duke më sjellë në kokë, brinjëve e në çdo pjesë. Edhe në stacion policor më kanë rrahur, kam pas kërcënime e ofendime.“

Në stacion ai thotë që ka dhënë deklaratë për dy orë, nën kërcënimin e policëve. Gjatë kësaj periudhe, ai deklaroi se një zyrtar policor i ka thënë “take it easy” (merre me qetësi). E një polic tjetër, sipas tij e quajti “fat” që i riu u arrestua atë natë, meqë kishin punë me rastin që ndodhi gjatë ndeshjes Gjilani-Ballkani.

“Dy orë ka zgjatë sa ma kanë marrë deklaratën, gjatë marrjes së deklaratës ka hy një polic i gjatë, muskuloz dhe më ka thënë “tejk it izi” dhe më shajti me fjalët “robtë t’i q***”. Deklaratën e kam dhënë nën kërcënimin e zyrtarëve policorë, ku kam treguar se personi në fjalë nuk është paraqitë si polic dhe nuk e kam sharë askënd. Një polic në ato momente tha “fati i tij se e kem ketë të futbollit se unë e kisha ndreqë këtë djalë.”

Në fund, ai deklaroi për Sinjalin se është liruar dhe ndaj tij është shqiptuar një gjobë.

Sinjali ka siguruar pamjet nga momenti i arrestimit të G.Osmanit, rreth orës 23:00, në Gjilan. Në pamjet e mëposhtme shihet se si policët posa arrijnë në vendin e ngjarjes kapin të dyshuarin, e shtrijnë përtokë dhe e prangosin. Në disa pamje të tjera shihet se gjatë kohës që i riu ishte i shtrirë përtokë, dy zyrtarët policorë e mbajnë të arrestuarin me gjunjë.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Inspektoratin Policor të Kosovës lidhur me këtë rast. Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me detajet e reja.

/GazetaSinjali/