image IPK deklarohet për rastin e qytetarit i cili po pretendon se është keqtrajtuar nga Policia

Siguri

IPK deklarohet për rastin e qytetarit i cili po pretendon se është keqtrajtuar nga Policia

news image

G. Osmani, 23-vjeçar nga Gjilani po pretendon se është keqtrajtuar nga disa zyrtarë policorë, të cilët e arrestuan pak para mesnatës së 4 prillit, në lagjen “Dardania” të këtij qyteti. Arrestimit, sipas tij i parapriu një konflikt verbal që i njëjti thotë se e kishte me një zyrtar policor, që ishte jashtë detyrës zyrtare dhe siç thotë i riu ia drejtoi revolen.

Lidhur me rastin Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se kanë pranuar një ankesë dhe hetuesit e IPK-së pritet të marrin veprime hetimore për të sqaruar rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë dhe autorizimet ligjore.

Ju njoftojmë se IPK ka pranuar një ankesë për këtë rast ku qytetari cek edhe pretendimet e tij për tejkalim të autorizimeve policore gjatë reagimit policor. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërtmarrin veprime hetimore për të sqaruar rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente dhe autorizimet ligjore. Rasti aktualisht është në fazën e hetimit preliminare”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.

Ndryshe Sinjali të martën ka publikuar rrëfimin e të riut gjilanas lidhur me ngjarjen dhe ka publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të 23-vjeçarit.

I riu tha për Sinjalin se në momentin që kanë arritur policët në vendin e ngjarjes e kanë kapur brutalisht, duke e rrëzuar përtokë, si dhe e kanë keqtrajtuar. Për shkak të lëndimeve, ai tha se ka marrë trajtim në spitalin e Gjilanit.

Tutje, ai u shpreh se keqtrajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së transportimit për në stacion policor.

Ndërsa më vonë ai ka bërë të ditur se është liruar dhe ndaj tij është shqiptuar një gjobë.

Sinjali ka siguruar pamjet nga momenti i arrestimit të G.Osmanit, rreth orës 23:00, në Gjilan. Në pamjet e publikuara shihet se si policët posa arrijnë në vendin e ngjarjes kapin të dyshuarin, e shtrijnë përtokë dhe e prangosin. Në disa pamje të tjera shihet se gjatë kohës që i riu ishte i shtrirë përtokë, dy zyrtarët policorë e mbajnë të arrestuarin me gjunjë.

/GazetaSinjali/