image Policë nën akuza për vrasje të qëllimtë për vdekjen e afro-amerikanit në Takoma

Botë

Policë nën akuza për vrasje të qëllimtë për vdekjen e afro-amerikanit në Takoma

news image

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Washington ngriti të enjten akuza kundër dy policëve të qytetit Takoma në këtë shtet të bregut të Paqësorit amerikan lidhur me vdekjen e afrikano-amerikanit Manuel Ellis, i cili humbi jetën pasi përsëriti disa herë gjatë arrestit se nuk merrte dot frymë.

Prokurori i Përgjithshëm Bob Ferguson njoftoi akuzën për vrasje me qëllim të shkallës së dytë kundër ish-policëve Christopher Burbank dhe Matthew Collins si dhe akuzën për vrasje të paqëllimtë të shkallës së parë kundër ish-policit Timothy Rankine.

Dëshmitarët treguan se kishin parë policët Burbank dhe Collins duke e sulmuar viktimën pa asnjë provokim, sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën e Lartë të komunës Piers. Polici i tretë akuzohet se i kishte rënduar mbi shpinë viktimës, megjithëse ai lutej se nuk merrte frymë.

33 vjeçari Ellis vdiq më 3 mars 2020, në pranga, i lidhur këmbë e duar dhe i goditur me rrymë elektrike për ta vënë nën kontroll, vetëm disa javë para se George Floyd të vdiste nën gjurin e policit në Minneapolis, gjë që shkaktoi protesta mbarë kombëtare me thirrjet për reforma në praktikat policore.

Mjeku ligjor i komunës Piers e cilësoi vdekjen e Ellis si vrasje të shkaktuar nga mungesa e oksigjenit gjatë arrestit, duke shtuar se faktorë komplikues ishin problemet e zemrës dhe methamfetamina.

Vdekja e Manuel Ellis u bë sinonime me thirrjet për drejtësi në pjesën veri-perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Fjalët e tij të fundit “Nuk marr dot frymë, zotëri” janë regjistruar nga kamera e sigurisë.

Policët reaguan pasi pati njoftime se Ellis ishte parë duke u futur në makina që ndaleshin tek semafori. Ata e cilësuan Ellis “agresor” duke thënë se ai i ishte vërsulur një polici që po dilte nga makina.

Por dy kalimtarë që regjistruan incidentin vdekjeprurës dhanë dëshmi identike duke thënë se policia kishte reaguar pa provokim. Një polic i ulur në anën e pasagjerit kishte hapur derën me forcë duke e rrëzuar Ellis dhe më pas i ishte hedhur sipër dhe kishte filluar ta godiste, thanë dëshmitarët.

Sherifi i komunës Ed Troyer, i cili në atë kohë ishte hetues dhe zëdhënës për zyrën e sherifit, tha pas vdekjes së viktimës se asnjë nga policët nuk e kishte mbajtur Ellis të mbërthyer me gjurin tek qafa apo koka, por në një nga videot që u bë publike më pas shihet pikërisht një skenë e tillë./Gazeta Sinjali/