Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar të japë informacione në lidhje me njohjen që e ka paralajmëruar ish-kryediplomati, Behgjet Pacolli. Arsyeja e refuzimit ishte se mund të rrezikohet procesi nga rrjedhja e informacionit.
MPJ i ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga çdo lloj veprimi që i cenon proceset e tilla.
“Nuk japim informacione lidhur me këtë temë. As në rastin konkret, e as në raste të ngjashme, ku rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të cenojë proceset e tilla të brishta”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Express.
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kurti nuk i është përgjigjur për një njohje që ai e ka siguruar, shkruan Gazeta Sinjali.
Pacolli tha se ai ia ka dërguar letrën dhe mesazhin e presidentit të atij shteti (që Pacolli e lë anonim) ku konfirmohet se është i gatshëm të vijë javën e ardhshme të kryejnë formalitetet e njohjes.
“Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, pēr të kryar formalitetet e njohjës dhe të diskutojnë për vizitën e juaj evtl në këtë shtet“, ka shkruar Pacolli.
“Gjithçka është e rregulluar, zotni Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj“, ka shkruar ai.