Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), një vit më parë, ka denoncuar publikisht për plagjiaturë, dy profesorët, Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin.
Nga kjo organizatë, thonë se “të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta akademike”.
Lidhur me këtë, ORCA kishte ndërmarr një hap tjetër duke vënë kontaktet e para me revistën botuese të punimit duke ia bashkangjitur të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës, sikurse e kishte bërë në tetor të vitit 2021 me Këshillin e Etikës.
ORCA ka njoftuar se më 25 mars 2022, revista u ka kthyer përgjigje atyre, duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati.
Në përgjigjën zyrtare të pranuar nga ta thuhet se punimi do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë. Rrjedhimisht, pas disa ditësh punimi është hequr nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë.
Me të marr këtë përgjigje nga revista, ORCA njofton se i është drejtuar edhe njëherë Këshillit të Etikës duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillesat të datës 1 tetor 2021.
“Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore. Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre. Në vendim thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.
Pas kësaj, ORCA ka vendosur poster në ballë të Fakultetit të Filozofikut, ku shkruan se “Këshilli i Etikës ka vendosur që Bujar Dugolli e Ardian Kastrati janë plagjiatorë”.