Pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter në Bazën e Forcave Ajrore të Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njofton se në Bazën e Farkës të Forcave Ajrore të Shqipërisë, pilotët e Njësisë së Aviacionit të FSK-së, përfunduan me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter tip AB-206, me qëllim të ruajtes së aftësive fluturuese individuale dhe operacionalitetit të njësisë sonë.
“Ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale, si dhe atyre të përbashkëta në reagime për menaxhim krizash me forcat e Shqipërisë dhe forcat e vendeve tjera partnere rajonale mbi konceptin “Smart defense”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më tej thuhet se në kohën kur FSK janë në proces të ngritjes së kapaciteteve ajrore, ky program është shumë i rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive operacionale të pilotëve tanë.
“Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga vëllezërit e motrat tona të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njofitmin e MM-së.