Kombet e Bashkuara kritikojnë presidentin amerikan, Donald Trump për ndërprerjen e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Kreu I OKB, Antonio Guterres thotë se tani nuk është koha e duhur për të reduktimin e financimeve për shkak të pandemisë koronavirus.
“Tani është koha për unitet dhe për komunitetin ndërkombëtar që të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar virusin dhe pasojat shkatërruese të tij”, tha Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB.
Ai shtoi se OBSH gjendjet në frontin e parë të betejës duke mbështetur shtetet anëtare dhe shoqëritë e tyre, veçanërisht ata më në nevojë, me udhëheqje, trajnim, pajisje dhe me shërbime konkrete që shpëtojnë jetë.
Kreu i OKB-së nënvizon se mbështetja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë duhet të vazhdojë pasi është një faktor kyç në përpjekjet për të fituar luftën kundër Covid-19.
Ndërkohë, vendimi i presidentit Donald Trump është kritikuar dhe nga Bill e Melinda Gates.
Themeluesi i Microsoft e konsideroi pezullimin e fondeve për OBSH, një lëvizje tepër të rrezikshme.
“Puna e tyre po ngadalëson përhapjen e Covid-19 dhe nëse ajo punë ndalohet, asnjë organizatë tjetër nuk mund t’i zëvendësojë ata. Bota ka nevojë tani për OBSH më shumë se kurrë më parë”, shkroi Bill Gates në Twitter.
Fondacioni “Gates” është një ndër donatorët më të mëdhenj të Organizatës Botërore të Shëndetësisë./Gazeta Sinjali/