Drejtori Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina është pezulluar nga pozita me vendim të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin ku thuhet se pas vlerësimit të performancës së dikastereve të MEA-s janë konstatuar shkelje në ushtrimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv, Ilir Morina.
Arsye e këtij vendimi thuhet se është mospërmbushja e përgjegjësisë së tij, si dhe presioni që ka ushtruar ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie.
“Ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij, në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve nga raportet e auditimit.
Ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të MEA-s, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare dhe ka treguar neglizhencë gjatë bashkëpunimit me menaxhmentin e MEA-s”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, Morina do të marrë 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër.