Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, është zemëruar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar mbajtjen e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës.
Lidhur me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, Petkoviq tha se i është ankuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ai tha se e ka telefonuar Lajçakun për t’ia shprehur zemërimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe për personat që u ndaluan në kufi kur tentuan ta fusnin materialin e referendumit. Petkoviq shprehet i zemëruar që Lajçak s’ka mundur ta bind kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të ndryshuar mendje.
“E kam telefonuar Miroslav Lajçakun që njerëzit të lirohen dhe OSBE-ja ta marrë materialin dhe ta shpërndajë në komunitetet serbe. Ai tha se do t’i drejtohej Kurtit dhe kjo ishte e gjitha. Nuk mund të besoj se Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, tha Petkoviq.
“Perëndimi e mbështet Kosovën si fëmijën e tij”, ka shtuar ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën e kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë.
Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Ekzekutivi i përballoi edhe kundërshtimeve nga shtetet e QUINT-it, që në një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, kërkuan që të lejohet mbajtja e referendumit./GazetaSinjali/