Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka cilësuar si kërcënim deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të veprojë mbarë vendit.
Ai paralajmëroi Kosovën të “mos luhet me zjarrin” derisa përmendi edhe çështjen e targave për të cilën e ripërsëriti qëndrimin e Serbisë.
“Njoftimet e fundit të zyrtarëve të Prishtinës se të ashtuquajturit Forcat e sigurisë së Kosovës mund të operojnë në territorin e gjithë krahinës, përfshirë edhe veriun, është një tjetër kërcënim alarmues dhe njoftim ogurzi nga Prishtina me qëllim të dëbimit të serbëve nga vatrat e tyre shekullore, paralajmëroi sot drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi.
Të mos luajnë me zjarrin në Prishtinë dhe të ndalojnë së përdoruri deklarata, njoftime dhe veprime nxitëse për të destabilizuar më tej situatën e sigurisë në Kosovë dhe Metohi, të cilën tashmë e kanë minuar me veprimet e tyre të njëanshme, të paligjshme dhe të dhunshme në lidhje me targat”, tha Petkoviq.
Petkoviq u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare që “të qëndrojnë qartë kundër një njoftimi kaq të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm nga bashkëpunëtorët e Kurtit, të cilët vetëm duan konflikte, tensione dhe kriza të reja”, tha ai raporton Tanjug.