Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, po qëndron sot dhe nesër në Veri të Kosovës.
Ai e filloi vizitën para qendrës spitalore në Mitrovicën veriore, ku u prit nga drejtori i institucionit qendror shëndetësor në veri të Kosovës, dr. Zlatan Elek, me një grup më të madh të punëtorëve shëndetësorë, njofton Kossev, transmeton Gazeta Sinjali.
“Kudo që mund të ndihmojmë sistemin tonë shëndetësor, juve mjekë dhe infermierë, në mënyrë që të gjithë të luftojmë së bashku me këtë sëmunduje që na ka rënë dhe të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë”, u ka thënë të pranishmëve zyrtari qeveritar serb duke treguar arsyen e vizitës së tij.
Ai theksoi rëndësinë e rolit të këtij institucioni shëndetësor, veçanërisht tani në luftën kundër pandemisë, si dhe mbështetjen e Serbisë, dhe përmendi hapjen e fundit të laboratorit PCR.
Petkoviq vuri në dukje se punëtorët shëndetësorë janë “në vijën e parë”.
“Në zonat me shumicë serbe, disa herësh është aprovuar që të punësohen 70 mjekë dhe 200 infermierë. Pastaj janë punësuar edhe 45 mjekë dhe mbi 83 infermierë. Tani është shpallur një konkurs i ri për 38 infermierë”, tha Petkoviq, duke shtuar se kjo është pikërisht ajo që “flet më së miri” se sa kujdeset shteti për njerëzit e Kosovës.
“Sa kujdesemi që kolegët tuaj t’ju vijnë në ndihmë, sepse ka një numër të madh të njerëzve të infektuar, por megjithatë për të luftuar dhe për të bërë gjithçka këtu në komunitetet serbe në Kosovë për të shpëtuar të gjithë njerëzit tanë me masa epidemiologjike dhe angazhimin tuaj dhe që në një farë mënyre ta vendosim nën kontroll përhapjen e epidemisë”, tha Petkoviq.
Siç është paralajmëruar, Petkoviq do të ketë takime në Mitrovicën veriore me krerët e Listës serbe, pastaj në Banjskë dhe Zubin Potok.
Po ashtu, është planifikuar të vizitojë familjen shtatë-anëtarëshe Nedelkoviq, së cilës Komuna e Mitrovicës së veriut, me ndihmën e Zyrës për Kosovë, i ka siguruar mjete për adaptimin e shtëpisë familjare.
Petkoviq do të vizitojë manastirin e Banjskës, ku do të bisedojë me peshkopin e Rashkë-Prizrenit dhe atë të Kosovës, Teodosije, dhe do të vizitojë kompleksin shëndetësor dhe Turistik “Banja e parajsës”./Gazeta Sinjali/