“Kur Albin Kurti guxon të flasë se si Beogradi dëshiron një “territor pa të tjerët në të”, ai me siguri po niset nga vetja dhe paraardhësit e tij që spastruan etnikisht Kosovën nga serbët dhe ku me ditë për të satën herë po përpiqet të barazojë viktimën me xhelatin”, vazhdon me propagandën e tij Petar Petkoviq në komunikatën e fundit për media lidhur me fjalimin e Kurtit në Samitin e organizuar nga NATO në Prishtinë.
Petkoviq ka pretenduar se institucionet e Kosovës së bashku me mentorët e huaj, “e kanë projektuar shkëputjen e Kosovës” duke përmendur “dëbimin” e serbëve nga Kosova, duke “harruar” se ata kanë ikur për t’i shpëtuar drejtësisë për shkak të gjenocidit që kanë bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“Për shkak të dëbimit të planifikuar dhe sistematik të serbëve nga ana e strukturave politike nga Prishtina, pothuajse të gjitha qytetet dhe shumica e fshatrave në Kosovë, të cilat janë “djep shekullor i popullit serb”, janë dëmtuar etnikisht dhe kjo është ende realiteti në “krahinë”, të cilin Kurti po mundohet ta mbulojë duke e zëvendësuar verbërisht tezën”, pretendon Petkoviq.
Petkoviq akuzoi kryeministrin e Kosovës për përhapjen e “dezinformatave të frikshme”, dhe “përsëri hedhjen e kripës në plagën e serbëve të dëbuar të cilët u detyruan të largoheshin nga pragu i shtëpisë së tyre para stuhisë së dhunës”, duke theksuar se “mbi 212.000 serbë” janë larguar nga Kosova.