Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë “goditje fatale dialogut” me deklaratat e tij në Berlin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.
Petkoviç tha se Kurti këtë shkaktoi ankth te serbët e Kosovës dhe për këtë arsye, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq mbrëmë ka biseduar shtatë orë me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.
“Njerëzit tanë janë të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të qëndruar dhe për të mbijetuar në vatrat e tyre. Presidenti Vuçiq u tha atyre se i kuptonte dhe u tregoi të gjitha pasojat nëse do të shpërbëhej Marrëveshja e Brukselit. Ata thanë se e kuptonin presidentin. por jo, ata duan që asnjë serb të mos largohet nga Kosova dhe Metohia”, tha Petkoviç./Tanjug/