Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka mirëpritur deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ec ila tha se “do të angazhohen që ta intensifikojnë dialogun me Serbinë”.
Por tash Petkoviqi kërkon që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – diçka që institucionet kosovare e refuzojnë.
E rritja e dinamikës së dialogut Kosovë-Serbi ka qenë kërkesë direkte e Gabriel Escobar, emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor. Ai sot e ka vizituar Kosovën ku pos me Osmanin u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti ku përmbajtja e bisedës ishte po e njëjta.
Nga mesazhi që sot e mori Osmani dhe Kurit është shprehur i kënaqur.
“Ne ishim të kënaqur që morëm mesazhin nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani se Prishtina është e gatshme të intensifikojë dialogun. Se sa konstruktive ishte Prishtina në këtë ilustrohet më së miri nga fakti se ajo refuzoi formimin e Asociacionit për 3470 ditë. Filloni të intensifikoheni nga atje. Jepni rezultate në vend të gjuhës së urrejtjes!” Petkoviq ka shkruar në Twitter.
Çka deklaruan sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti?
Osmani pas takimit me emisarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar tha se mbështetja amerikane për Kosovën rikonfirmohet sa herë që Escobar viziton vendin.
Ajo shtoi se ndër temat e diskutimit ishte procesi i dialogut dhe nevoja që ky proces të intensifikohet. Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të angazhohet që kjo të ndodhë.
“Natyrisht sot diskutuam edhe nevojën për të ecur përpara në procesin e dialogut. Kam ritheksuar se Kosova është dhe ka qenë gjithmonë pala konstruktive, dhe shpreha angazhimin tonë që Kosova të angazhohet edhe më shumë për të intensifikuar procesin e dialogut”, tha Osmani.
Kurse, Kurti në konferencën për media ku ishte i shoqëruar me Escobarin tha se Kosova është treguar konstruktive në raport me propozimet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për njohje të ndërsjellë.
“Për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japin Kosova është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, tha ai.