Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nuk do ta lejojë “bosnjëzimin” e Kosovës, gjegjësisht formimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe. Petkoviq tha se kjo nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si kërcënim i hapur për popullin serb.
Petkoviq theksoi se Asociacioni për serbët në Kosovë e ka të njëjtën rëndësi si Marrëveshja e Dejtonit për serbët në Bosnjë e Hercegovinë dhe se mesazhet e Kurtit janë “poshtërim” i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Asociacioni i komunave serbe është një nevojë urgjente e serbëve në Kosovë, siç është rënë dakord – me kompetenca të plota ekzekutive sepse është garantues i të drejtave kolektive të popullit serb dhe mekanizëm për mbrojtjen dhe çdo zhvillim tjetër të serbëve. Sa më e madhe të jetë rezistenca e Prishtinës ndaj formimit të Asociacionit, aq më e madhe është nevoja që ai të formohet, sepse ndryshe nuk mund të jetë”, tha Petkoviq, shkruan danas.