Një burrë 35-vjeçar ka humbur jetën pasi u sulmua nga një peshkaqen teksa po peshkonte në brigjet e Australisë Perëndimore, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes në Ishullin Michaelmas, pranë qytetit të Albanyt, rreth 388 kilometra në jug të Perthit. Viktima po peshkonte së bashku me familjen kur u sulmua nga peshkaqeni.
Ai u nxor menjëherë në breg dhe mori ndihmën e parë nga ekipet mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas autoriteteve shtetërore, një peshkaqen rreth 4.5 metra i gjatë, i një specie ende të paidentifikuar, është parë pranë Ishullit Michaelmas pas sulmit. Ishulli është një rezervat natyror që vizitohet rrallë nga turistët.
Ky është sulmi i tretë fatal nga peshkaqenët në Australi brenda tre javësh. Më 24 maj, një 39-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një peshkaqen teksa peshkonte në zonën e Koralit të Madh Barrierë. Vetëm 10 ditë më herët, një tjetër burrë, 38 vjeç, u vra nga një sulm i ngjashëm pranë një ishulli afër Perthit.
Sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e natyrës, në Australi regjistrohen rreth 20 sulme peshkaqenësh çdo vit, megjithëse shumica e tyre nuk përfundojnë me pasoja fatale. Ekspertët theksojnë se numri i personave që humbin jetën nga mbytja në plazhet australiane mbetet dukshëm më i lartë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!