image Pesë tragjeditë nga aksidentet me autobusë

Siguri

Pesë tragjeditë nga aksidentet me autobusë

news image

Që nga mbarimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, Kosova ka parë disa aksidente të tmerrshme që kanë qenë të përfshirë autobusët e udhëtarëve. Në dy dekadat e fundit, është rritur transporti rrugor me autobusë nga Kosova për në shtetet tjera, por janë rritur edhe aksidentet. Më poshtë ua rikujtojmë pesë tragjeditë më të mëdha nga aksidentet më autobusë në 20-vjetëshin e fundit.

2002- Dhjetë të vdekur në kufirin Kosovë-Mal i Zi

Dhjetë persona vdiqën, përfshirë edhe dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë u lënduan më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi. Autobusi me 40 udhëtarë ishte duke udhëtuar nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga dhe ra poshtë një kodre. Aksidenti ndodhi në orën 05:00. Kjo ishte tragjedia më e madhe rrugore që nga mbarimi i luftës.

Rrokullisja e autobusit në kufirin Kosovë-Mali i Zi. 25 korrik, 2002.

2004 – 15 maturantë vdesin në Shqipëri

Më 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Shqipërisë, vdiqën 15 maturantë kur u aksidentua autobusi më të cilin maturantët po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri. Autobusi po bartte 49 maturantë kur u rrokullis dhe ra në humnerë. Autoritet thanë se 34 maturantë të tjerë u lënduan, disa prej tyre rëndë.

Të 15 maturantët u varrosën në vendin e njëjtë në qytezën e Malishevës, ndërkohë në Fushë Arrëz është vendosur një pllakë përkujtimore, shkruan REL.

Autobusi me maturantë që ra në një humnerë në Shqipëri. 15 tetor, 2004.

2010 – Gjashtë të vdekur në një aksident në Austri

Më 22 shkurt 2010, gjashtë persona nga Kosova vdiqën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u aksidentua afër Vjenës, derisa po udhëtonte për në Gjermani. Aksidenti ndodhi kur autobusi u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë, Vjenë. Në këtë aksident u lënduan edhe mbi 30 persona, disa prej tyre rëndë. Në aksident vdiqën edhe dy shoferët e autobusit.

Autobusi i udhëtarëve që u përplas me dy kamionë. Vjenë, 22 shkurt, 2010.

2011- Pesë të vdekur në fshatin Lugbunar të Gjakovë

Më 25 korrik 2011 si pasojë e një aksidenti mes një autobusi dhe një veture në fshatin Lugbunar të Gjakovë, vdiqën pesë anëtarë të familjes Thaçi.

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar se në këtë aksident ishte i përfshirë autobusi i kompanisë “Deva Tours”, i cili në atë kohë kishte dalë nga korsia dhe kishte goditur makinën në të cilën po udhëtonte familja Thaçi.

Aksidenti mes autobusit dhe veturës në Lugbunar të Gjakovës.25 korrik 2021.

Viktimat e këtij aksidenti që shoi një familje të tërë ishin David Thaçi, bashkëshortja e tij, Tone Thaçi, si dhe dy vajzat e tyre dhe vajza e vëllaut të Davidit, Emanuela, Magdalena dhe Doruntina Thaçi.

Në këtë aksident kishin mbetur edhe dy persona të lënduar, Anton Thaçi dhe Marte Thaçi, të cilit ishin në automjet së bashku me pesë viktimat.

2021 – Dhjetë të vdekur në Kroaci

Më 25 korrik 2021, në një aksident në Kroaci mbetën të vdekur dhjetë persona me origjinë nga Kosova derisa po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. Mbi 40 persona u lënduan dhe njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Autobusi kishte 67 pasagjerë, përfshirë edhe fëmijë.

Aksidenti me autobus të linjës Frankfurt-Prishtinë në Kroaci. 25 korrik 2021.

Aksidenti ndodhi në orën 06:00, ku dyshohet se nga pakujdesia e shoferit, autobusi doli nga rruga. Policia kroate ka thënë se në kohën e aksidentit shoferin e kishte zënë gjumi. Shoferi është ndaluar nga policia derisa të kryhen hetimet./Gazeta Sinjali/