image Pesë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit në Kosovë

Siguri

Pesë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit në Kosovë

news image

Në vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit në Polici janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, Suharekë, Prizren, Istog dhe Zveçan.

Rasti i parë ka ndodhur mbrëmë në kryeqytet, ku dyshohet se djali ka sulmuar fizikisht babain e tij, ku më pas ky i fundit është ankuar në Polici dhe madje ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar dhe zyrtarëve policorë iu ka thënë se babai i tij vuan nga sëmundjet mendore.

Rasti tjetër i dhunës në familje ka ndodhur dje rreth orës 09:20, në qytetin e Suharekës, ku një nënë ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. Nga plagët e marra viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë ka ndodhur në Prizren, ku kësaj here pre e dhunës në familje ka qenë një e mitur, pasi që ajo është sulmuar fizikisht nga babai i saj. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar.

Edhe në qytetin e Istogut është raportuar se ka ndodhur dhunë në familje, si jo rrallë herë që ndodh në Kosovë, viktimë e dhunës të jetë gruaja. Viktima rastin e ka paraqitur vetë në Policia ku ka treguar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Nga plagët që i dyshuari i ka shkaktuar bashkëshortes, kjo e fundit është detyruar të pranoj tretman mjekësor. Policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i pestë ka ndodhur në Zveçan, ku edhe në këtë qytet rastin në Polici e ka raportuar vetë viktima e sulmit. Rasti ka ndodhur dy ditë më parë, ku një person ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, ku më pas ajo është dërguar edhe për trajtim mjekësor. I dyshuari sipas policisë ka qenë në gjendje të dehur dhe ashtu është arrestuar, derisa me vendim të prokurorit i njëjti është ndaluar deri në këndellje./GazetaSinjali/