image Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Siguri

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

news image

Dy raste të dhunës në familje në Prishtinë, një në Lipjan, një në Prizren e një në Pejë janë regjistruar për 24 orë në Kosovë.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, njofton se njëri rast i regjistruar në Prishtinë u bë nga një person me probleme mendore.

“Është arrestuar i dyshuari i cili kishte pasur sjellje agresive ndaj nënës dhe familjes së tij. Të dyshuarit i është konfiskuar një thikë dhe pasi i njëjti nuk qëndron mirë me shëndetin mendor, është dërguar në psikiatri. Rasti mbetet nën hetime”, njofton Policia, derisa rasti tjetër ka ndodhur mes dy personave.

Njëri ka sulmuar me thikë një person tjetër brenda familjes, i cili edhe ka marrë trajtimin mjekësor në QKUK.

“Thika e cila është përdorur është konfiskuar. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që pas intervistimit i dyshuari të ndalet për 48 orë”, njofton Policia.

Ndërkaq në Lipjan një grua ka raportuar se ka pësuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Rasti mbetet nën hetime”, njofton PK-ja.

Dhunë në familje ndodhi edhe në Prizren. Një person raportoi se është sulmuar fizikisht nga babai i tij dhe si pasojë ka marrë lëndime trupore.

“Viktima ka marrë tretman mjekësor. Është intervistuar i dyshuari i cili ka pohuar se e ka sulmuar viktimën pasi që ai ka kryer vjedhje. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Derisa në Pejë, është arrestuar një i dyshuar pasi pas një mosmarrëveshjeje ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

“Të dyshuarit dhe viktimës u është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Rasti mbetet nën hetime”, njofton Policia.

Gazeta Sinjali sot gjatë ditës raportoi se vetëm gjatë vitit 2020, janë regjistruar 1 mijë e 731 raste të dhunës në familje.

/Gazeta Sinjali/