image Pesë gjëra që mund të ndodhin në Ukrainë gjatë javëve në vazhdim

Botë

Pesë gjëra që mund të ndodhin në Ukrainë gjatë javëve në vazhdim

news image

Ka kaluar një muaj që nga dita kur trupat ruse pushtuan Ukrainën. Avancimi i tyre në disa qytete kyçe, përfshirë këtu edhe Kievin, raportohet se është ngadalësuar ndjeshëm.

Ndërsa në të gjithë botën flitet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk ka shkuar sipas planeve të Moskës, sërish Putin vazhdon të përdorë fuqinë e tij duke mos i ndalur bombardimet edhe ndaj civilëve, në mënyrë që Ukraina të nënshtrohet.

Por ku po shkon kjo luftë? Më poshtë gjeni 5 parashikime që mendohet se mund të ndodhin në javët në vazhdim në konfliktin e armatosur që ka vënë në lëvizje gjithë Perëndimin, raporton A2CNN.

1. Rusia mund të intensifikojë fushatën e saj bombarduese

Civilë në Mariupol, Ukrainë/ 20 mars 2022

Ekspertët paralajmërojnë se sa më shumë të hasë në rezistencën ukrainase, aq më shumë do t’i shtojë bombardimet Rusia. Gjithashtu parashikohet shtimi i armëve me rreze të gjerë, të cilat vënë më pak në rrezik forcat ruse.

Deri më tani, informacionet lidhur me numrin e viktimave mes radhëve të Moskës, janë ende të turbullta. Një tabloid në Rusi raportoi vetëm pak ditë më parë, se Putin kishte humbur rreth 10,000 ushtarë, ndërsa 16,000 të tjerë ishin plagosur.

Pak orë më vonë, “Komsomolskaya Pravda” i hoqi fare këto shifra, duke pretenduar se website ishte hakuar. Ajo që bëri përshtypje, ishte fakti se shifrat e publikuara nga tabloidi rus, ishin shumë të përafërta me ato që  janë konfirmuar edhe nga agjencitë e inteligjencës amerikane.

Ndërkohë në Mykolaiv, autoritetet lokale vijojnë të kërkojnë ndihmë lidhur me atë që do të ndodhë me qindra kufoma ruse, të lëna pas nga batalionet, që me rritjen e temperaturave, vijojnë të bëhen edhe më të rrezikshme për banorët e zonës.

Humbje të tilla do të shpjegonin edhe shkaqet pse pala ruse ka ngecur dhe nuk avancon dot në fushë-betejën ukrainase, por edhe arsyen pse numri i bombardimeve është rritur ndjeshëm, si një nga format e vetme për të mos humbur më trupa.

“Pavarësisht se deri tani ofensiva ka ngecur, Rusia ka ende rezerva dhe do të intensifikojë sulmet me raketa”, është shprehur për CNN, Jeffrey Mankoff, studiues në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në SHBA.

2. Ndërsa fokusi është në Kiev, Rusia mund të përpiqet të rrethojë luftëtarët ukrainas në lindje

Një ushtar ukrainas ecën mes rrënojave të qendrës tregtare “Retroville” në Kiev/ 21 mars 2022

Edhe pse në të gjithë botën përflitet për një ngadalësim të ofensivës ruse, në fakt gjithçka mbetet në kuadrin e një interpretimi, pasi synimet e vërteta të Moskës, janë një mister për Perëndimin. Edhe pse në deklaratat zyrtare, Rusia pohon se gjithçka që kërkon të bëjë është “demilitarizimi i Ukrainës”, sulmet mbi civilë kanë provuar tashmë se “operacioni special” i Putinit, është shumë më shumë se aq.

Aktualisht, ka shumë mundësi, që ndërsa e gjithë rezistenca ukrainase është përqendruar në Kiev, trupat ruse të sulmojnë pjesë të Ukrainës Lindore.

Zonat si Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë rajonin e Donbasit, janë kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, vit kur Rusia aneksoi Krimenë. Tashmë duket se ambiciet e Rusisë mund të shtrihen përtej Donbasit.

“Trupat më të mira të ushtrisë ruse janë pozicionuar në Donetsk, Luhansk, Mariupol, Berdyansk, Melitopol. Ata janë stërvitur për të luftuar NATO-n, ndaj do të përfitojnë nga vëmendja e ukrainasve në Kiev, për të realizuar pushtimet që duan në këto zona”, shprehet Cranny-Evans, analist kërkimor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve.

3. Do të flitet më shumë për negociatat mes palëve

Zyrtarët rusë dhe ukrainas gjatë bisedimeve më 27 shkurt në rajonin Gomel, Bjellorusi

Një nga skenarët e përfolur mes ekspertëve, është edhe ai se lufta në Ukrainë, mund të kthehet në një konflikt të zgjatur në kohë. Aktualisht negociatat mes palëve, janë e vetmja mundësi për paqe, ndaj pritet që të ketë edhe më shumë diskutime, lidhur me takimet mes delegacioneve.

“Ndërkohë që flasim, negociatat janë i vetmi aspekt pozitiv nga lufta, kjo pasi të dyja palët, janë shprehur se gjërat po shkojnë në një pikë zgjidhjeje, në vend se të këmbëngulin me kokëfortësi në kushtet e tyre”, thotë Keir Giles, ekspert rus në institutin e mendimit “Chatham House”.

Por zyrtarët amerikanë nuk janë aq optimistë se bisedimet do të shkojnë mirë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha në një konferencë shtypi javën e kaluar, se shanset për një zgjidhje nëpërmjet diplomacisë, janë shumë të pakta. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të përshkallëzonte luftën duke përdorur armë kimike.

4. Mund të ketë “depërtime” me shumicë të ukrainasve në Rusi

Refugjatët ukrainas largohen nga Mariupoli

Gjatë kohës që në Mariupol nisën bombardimet, forcat ruse hapën disa korridore humanitare për të lejuar civilët të largohen, por mijëra prej tyre u transportuan drejt Rusisë. I njëjti skenar pritet të përdoret edhe në vazhdim.

Mediat shtetërore në Rusi kanë raportuar se rreth 60,000 banorë të Mariupolit, kishin mbërritur në territorin rus “në siguri të plotë” fill pas bombardimeve në Mariupol. Në pamjet e publikuara në këto media, dukeshin radhë të tëra automjetesh, të cilat kalonin kufirin. Por autoritetet në Mariupol kanë akuzuar Rusinë, se banorët shkuan atje të detyruar dhe jo me vullnetin e tyre.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko, deklaroi se “ajo që pushtuesit po bëjnë sot, është një formë moderne e një teknike të vjetër, e përdorur dikur edhe nga nazistët”. Giles tha se në Ukrainë, qytetarët janë të shqetësuar se historia do të ripërsëritet në javët e ardhshme.

5. Miliona të tjerë ukrainas mund të ikin, duke lënë pas një komb të shkatërruar

Refugjatët ukrainas mbërrijnë në stacionin e trenit Przemysl në Poloni/ 20 mars 2022

Deri më tani, sipas OKB-së, rreth 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, në tentativë për t’i shpëtuar sulmeve ruse. Më së shumti gra dhe fëmijë, ky numër pritet të shumëfishohet me kalimin e javëve.

Duke marrë parasysh historinë nga luftërat në të kaluarën, shpesh refugjatët e konflikteve të armatosura, nuk kthehen më në vendin e tyre. Mjafton edhe frika nga kërcënimi i një lufte tjetër, për t’i mbajtur ata larg tokës së tyre.

Ndaj edhe ky është një shqetësim i madh. Sepse edhe nëse do të gjendet një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj lufte, numri i të larguarve do të jetë aq i lartë, saqë Ukraina nuk do të jetë më kurrë e njëjta.

/GazetaSinjali/