Nxënësit e Shkollës Fillore “Xhemajl Kada”, në Pejë, rrezikojnë jetën e tyre sa herë futen ose dalin nga shkolla përmes një “ure” të improvizuar me pesë dërrasa të vjetra, shkruan Gazeta Sinjali.
Prindërit e këtyre nxënësve kanë shkruar në adresë të Sinjalit dhe janë ankuar për sigurinë e fëmijëve të tyre të cilët vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Ata thonë se për të hyrë në shkollë është edhe një hyrje tjetër, e cila, sipas tyre, nuk është e hapur për shkak të pandemisë, andaj, fëmijët e klasave të pesta dhe parashkollorët duhet të kalojnë përmes këtyre pesë dërrasave të vjetra.
Njëri nga prindërit tha se kalimi nëpër këto dërrasa ishte edhe më i rrezikshëm sot, kur kishte edhe reshje shiu.
Drejtori i kësaj shkolle, Sylë Peli, tha për Sinjalin se ai personalisht ka kërkuar që ajo hyrje të mbyllet krejtësisht, e madje edhe ishte mbyllur për një kohë, por që, sipas tij, komuniteti vazhdon ta shfrytëzojë.
Andaj, thotë se ekipi i shkollës ka improvizuar një “urë”, duke vendosur dërrasa mbi betonin, që më parë, sipas tij, ishte rruga e vetme e nxënësve.
“Unë mund të ju bëj me dije se ajo foto tash është shumë në rregull, qysh ka qenë situata. Se aty është punu terreni sportiv në ambient të hapur. Kështu që tash ende janë punimet e papërfunduara, sepse aty është bërë betonimi, që të mos rrëshqas dheu dhe ne e kemi marrë aksion me shkollë çka kemi mujtë, me atë lanë, i kemi bërë njëfarë ure të përkohshme, se nuk u pritshin qytetarët, se aty m’u ka bë mu oborri i shkollës si rrugë tranzit”, tha ai.
“Lagjja kah Lindja t’u kalu knej në Perëndim. Unë kam problem mas pari me komunitetin atje. Ne e kemi pasë mendu edhe me e mbyll atë pjesë andej krejt, por nuk ka kohë, sepse e kemi pasë mbyll njëherë, po jonë çu e kanë thy derën prapë dhe kanë hy, se andej u kon pa qenë fusha.”
Drejtori i shkollës thotë se ky problem ka ngelur për shkak se në atë pjesë janë duke u zhvilluar ende disa punime.
Megjithatë, ai shpreson se këto punime do të përfundojnë së shpejti dhe se ura me mbrojtëse për nxënësit do të ndërtohet sa më parë.
“E tash është problem, se hala kanë me u punu edhe do punë aty. Ka me u ndërtu qajo pjesë me urë, veç asaj ka me u bo edhe mbrojtja prej, që mos me ardhë deri te ai problem.”
“Ky problem nuk ka vonesa. Unë bile unë e kam thirrë një prind, ka sjellë zhavorr aty, se na patë bo kahre balta aty në shkollë. Kështu që e kom shtru shumë mirë, as nuk ka baltë, as kurgjo. Vetëm qaty është një pikë, po sipas prindërve, po ju doket shumë e rrezikshme, e që unë nuk e shoh qaq rrezikshmëri, se ata prindërit, unë boll po ju ndalojë, po kot, ata prapë hyn anej, nuk po dimë.”
Për rregullimin e këtij problemi Peli pret ende ndihmën e Komunës së Pejës.
“Ne po presim sa më parë, por besoj që Komuna ka me e ndërmarrë një aksion, sepse ende janë të papërfunduara punimet, aty do të bëhet rrethoja me hekura. Unë pata mendu me e mbyll krejt atë pjesë andej, por nuk lejon komuniteti. Situata është kështu, unë e pata mendu edhe pak atë urë me lanë, bile me lanë e kemi bë ashtu me kalu, se ata kalojshin në njëfarë betoni, edhe ma ngushtë. Tash janë bile pak ma të sigurt se përpara”, përfundoi ai.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Pejës, por nga kjo drejtori kanë thënë që për këtë çështje të kontaktohet drejtori i shkollës./Gazeta Sinjali/