Kryetarët e komunave jo rrallë herë janë cak i hakimeve nga persona e grupe të ndryshme, që arrijnë të kenë qasje në llogaritë e tyre në rrjete sociale, por edhe në emailat zyrtar e personal. Njëri prej tyre që është ballafaquar që disa herë me raste të tilla është edhe Shpejtim Bulliqi, i pari i Podujevës, raporton Gazeta Sinjali.
Ai mbrëmë njoftoi se dikush ia ka hakuar dy herë brenda një dite llogarine e tij private në Facebook. Sinjali mëson se përveç Facebook-ut, Bulliqit ia kanë hakuar edhe emailin personal, edhe pse për një gjë te tillë ai nuk njoftoi.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Bulliqi e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.
Me t’u përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hyrje në sistemet kompjuterike”.
Ndryshe, “Kushdo që pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete apo personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ndryshon, publikon, shlyen, asgjëson apo shkatërron të dhënat apo programet kompjuterike ose në ndonjë mënyrë tjetër hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në (3) tre vjet.”.