image Përurohet Dhoma për intervistimin e të miturve në Prokurorinë Themelore në Gjakovë

Kosovë

Përurohet Dhoma për intervistimin e të miturve në Prokurorinë Themelore në Gjakovë

news image

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Kosovë, të kryesuar nga Shawn Waddoups, drejtor i Zyrës Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit, kanë bërë përurimin e Projektit të “Dhomës për intervistimin e të miturve” në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Ky projekt është financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryesuesi Maloku ka shprehur mirënjohje të thellë për Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila ka mbështetur realizimin e këtij projekti, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar një imazh më të mirë për sistemin prokurorial të Kosovës.

Për rëndësinë e Projektit të “Dhomës për intervistimin e të miturve” në ngritjen e efikasitetit të punës në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ka folur kreu i kësaj prokurorie, Ramiz Buzhala, duke thënë së krijimi i kushteve më të mira për intervistimin e të miturve do të ndikojë në efikasitet më të madh në punën e këtij departamenti.

Ndërsa, drejtori Waddoups është shprehur i lumtur për finalizimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-së për ofrimin e mbështetjes së mëtutjeshme për sistemin prokurorial në Kosovë.

Donacionet e tilla të ambasadës amerikane në Kosovë janë dhënë edhe për pesë prokurori të tjera themelore të Kosovës./Gazeta Sinjali/