image Personi që u gjet i vdekur në Vërmicë është siriani që kërkohej nga mesnata, afër tij gjenden armë e gëzhoja - Sinjali

Personi që u gjet i vdekur në Vërmicë është siriani që kërkohej nga mesnata, afër tij gjenden armë e gëzhoja

news image

Shtetasi i huaj që po kërkohej nga mesnata në Prizren, pasi dyshohet se disa persona tentuan të vrasin atë dhe një mik të tij, është gjetur i vdekur, në orët e pasdites së sotme, raporton Sinjali.

Sinjali sot raportoi se viktima, bashkë me një 16-vjeçar, të dy sirianë, u plagosën mbrëmë në Vërmicë. I mituri arriti të kërkonte ndihmë mjekësore, teksa i ndjeri po kërkohej nga Policia, deri më sot kur u gjet i vdekur në mal, afër një pishine.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se afër trupit të pajetë është gjetur një armë e shkurtë, gjashtë gëzhoja, disa prej të cilave të kallashnikovit, si dhe një telefon.

Në vendin e ngjarjes tashmë kanë dalë edhe njësitet e Policisë së Kosovës, por edhe autoritetet nga Shqipëria, pasi ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vijën kufitare.

Ende janë të paqarta motivet mbi të cilat ka ndodhur ky rast, i cili fillimisht u cilësua si vrasje në tentativë, ndërkohë që pasi u gjet trupi i pajetë që kërkohej, Prokurori është duke shqyrtuar provat e mbledhura.

Çka dihet për rastin dhe çka deklaroi 16-vjeçari sirian, i cili ka mbetur i plagosur?

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se 16-vjeçari ka deklaruar se është sulmuar nga 4-5 persona dhe i njëjti është plagosur në këmbë më armë zjarri, teksa ka bërë të ditur se bashkë me të ishte siriani që u gjet sot i vdekur.

Sipas tij, ashtu i plagosur ka ecur rreth tri orë nga vendi se ku ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Si pasojë e lëndimeve të marra ai është dërguar në repartin e Ortopedisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ku bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitet relevante duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë e Shtetit, hetuesit e Institutit e Mjekësisë Ligjore, po ashtu edhe përfaqësues nga Policia e Republikës së Shqipërisë.

Është gjetur një trup i pajetë, dyshohet të jetë shtetas i huaj. Të gjitha njësitet relevante duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë e Shtetit, hetuesit e Institutit e Mjekësisë Ligjore, po ashtu edhe përfaqësues nga Policia e Republikës së Shqipërisë, për shkak se rasti ka ndodhur në vijën e gjelbër të kufirit, pra edhe ata janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin”, deklaroi Gashi.

Sinjali mëson se trupi i pajetë dyshohet të jetë shtetas sirian, i gjinisë mashkullore.

Gashi gjithashtu deklaroi se njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke marrë të gjitha veprimet konform zbatimit të ligjit.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin