Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza është ‘përplasur’ me kryeparlamentaren Vjosa Osmani gjatë seancës për formimin e komisioneve parlamentare.
Osmani fillimisht e ka ndërprerë fjalimin e Hamzës, duke i thënë se duhet t’i përmbahet pikave të rendit të ditës.
“Është fjalim që është bash për rendin e ditës”, i ka thënë Hamza – Osmanit.
Kryeparlamentarja i ka replikuar duke i thënë të mos bërtas.
“Nuk keni nevojë me bërtit z.Hamza, po ju dëgjojmë mirë”, ka thënë Osmani.
Hamza ka shfaqur pakënaqësi për pikat e rendit të ditës, ani pse deputetët e PDK-së e votuan rendin e ditës. Shefi i Grupit Parlamentar i ka kërkuar Osmanit që të ndryshojë, teksa Osmani i ka thënë Hamzës të mos bërtas, shkruan Gazeta Sinjali.
“Të lutem mos më ndërprej fjalën. Nuk duhet kjo arrogancë, nuk e ke nis mirë, keq e ki, ndërro. Nuk mundesh kështu me këtë arrogancë me shku kurrkund”, ka thënë Hamza.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza megjithatë tha se e dinë rëndësinë e zgjatjes buxhetore, prandaj nuk do të dalin kundër. /Gazeta Sinjali/