Debati për qëndrimin zyrtar të SHBA-ve për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, ka bërë që të ketë përplasje në mes deputetit të PDK-së, Uran Ismaili dhe atij të LVV-së, Artan Abrashi.
Uran Ismaili i PDK-së tha se LVV nuk po dëshiron ta marr si qëndrim zyrtar të SHBA-ve qëndrimin e drejtorit të inteligjencës amerikane, e këtu ai u bëri thirrje që ta thërrasin Skënder Hysenin e LDK-së që t’iu tregojë.
“Del qëndrimi zyrtar prej drejtorit të inteligjencës ju nuk e merrni parasysh, vjen kryeministri këtu nuk tregon a i kanë thënë që do ta suspendojnë a jo. Tash nuk po di, presidentit nuk i shkoni në takim, thirreni Skender Hysenin t’iu tregojë, nuk ka mbete tjetër më, nuk e di kujt po doni t’i besoni”, tha ai.
Kurse, deputeti i LVV-së Artan Abrashi, tha se Skënder Hyseni qenka një person që po diktojka në politikat e këtij vendi.
“Do të dëshiroja ta kemi këtu z. Skënder Hysenin këtu në sallë, nuk është deputet i Kuvendit të Kosovës, na qenka goxha një farë lloj personi këtu i cili po ta diktojka politikën e këtij vendi. Sido që të jetë të njëjtën gjë është duke e bërë edhe opozita e cila është duke komunikuar me kanale jo zyrtare edhe me Grenellin vetëm për ta degraduar procesin kundër qeverisë”, tha ai.
Përmendja e Seknder Hysenit të LDK-së, bëri që të reagojë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka ironizuar me dy deputetët, duke iu thënë se kur të kthehet nga SHBA do t’iu jep sqarime shtesë.
“Besoj se partia opozitare dhe partneri i koalicionit po mundohen me u sill rreth figurës madhështo re të z. Hyseni, po ai ka qenë i ngarkuar special me një mision, po iu bënë të fala, i kupton shqetësimet e juaja, po bashkërisht besoj se ka me ua sqaruar të gjitha kur të kthehet të gjitha qëndrimet zyrtare. Megjithëse ka provuar t’ua sqarojë në distancë me mjetet moderne të komunikimit, për ata që nuk i kanë kuptuar me siguri që në takime bilaterale ka me ua sqaruar deri në detajin e fundit. Mund t’ua sjellim edhe në grupin parlamentar që me ua bë një të shkurt se çka ka ndodhur në ShBA”, tha ai.
Një replikë ka pasur sërish deputeti i LVV-së Artan Abrashi, i cili tha se ka persona që përmes kanaleve jo zyrtare po dërgojnë informata të gabuara tek SHBA-të.
“Nuk kam dyshim që mund të jetë person markant derisa i tejkalon të gjitha nivelet e përfaqësimit institucional të Kosovës dhe shkon aty me misione vërtet shumë të mëdha apo sido që të jetë, kjo çështje mbetet për me u sqarua. Mirëpo, duhet ta kemi parasysh se pikërisht këto forma të cilat veprohet në Kosovë ku mundohen të gjenden kanale jo zyrtare për të komunikuar me nivel të lartë të përfaqësimit të SHBA-ve për me qu informacione të gabuara, të cilat e njollosin qeverinë e Republikës së Kosovës, për të krijuar drejtime të gabuara edhe të dialogut. Këta njerëz mbi bazën e ligjit të Kosovës duhet të hetohen për shkak të situatave të cilat po i krijon”, tha ai.
Prapë ka reaguar deputeti i PDK-së Uran Ismaili, i cili tha se duhet t’i lënë paranojat se ata japin informacione për Albin Kurtin.
“Z. Kurti është kryeministër i vendit, të gjitha mundësitë i ka që të kontaktojë dhe besoj edhe ka dërguar letra. Qëndrimi amerikan është i qartë, ai ka qen ë në konferenca të ndryshme nuk është takuar me zyrtarët amerikan, nuk kemi ne faj pse nuk po e takojnë, mos u mundoni me na thënë neve që ju po dërgoni informata, çfarë lloj informata mundemi me i dërgua ne shefit të inteligjencës amerikane për Albini Kurtin, po hajgare po bëni a, leni këto paranoja”, tha ai.
Skender Hyseni gjatë ditës së djeshme është takuar me emisarin special të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Sipas Hysenit, në këtë takim është diskutuar për taksën dhe mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës, aktualisht është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.