image Përpara takimit me Vuçiqin e Borrellin, Kurti "konsultohet" me Escobarin

Politikë

Përpara takimit me Vuçiqin e Borrellin, Kurti “konsultohet” me Escobarin

news image

Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

Në tryezën e bisedimeve sot është draft-statuti për formimin e këtij asociacioni, i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më herët se një draft i statutit të Asociacionit do të duhej të prezantohej nga ana e Kosovës, sepse “ne nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave”.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Serbia ka këmbëngulur vazhdimisht në kompetenca më të gjera për të, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta minonin funksionalitetin e shtetit.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes./REL/

/GazetaSinjali/