500 familje në Vushtrri janë përmbytur për shkak të vërshimeve, kurse Lumi “Sitnica” ka dalë nga shtrati, shkruan Gazeta Sinjali.
Po ashtu, me mijëra hektarë tokë janë përmbytur, e këto vërshime po konsiderohen si më të mëdhatë që nga viti 1979.
Përmes një konference të jashtëzakonshme për media, lidhur me gjendjen emergjente të krijuar në Komunën e Vushtrrisë, kryetari Xhafer Tahiri deklaroi se kjo komunë mbrëmë dhe sot paradite është përballur me vërshime të mëdha, vërshime të cilat nuk mbahen mend qe nga viti 1979.
“Mbrëmë dhe sot ka pasues vërshime të mëdha. Lumi ‘Sitnica’ ka dalur nga shtrati dhe janë përmbysur me qindra hektarë tokë. Dhe 500 familje dhe shtabi të cilat janë përmbytur nga uji. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë viktimë të njerëzve. Ndërkohë që banorët janë ndihmuar në evakuimin e tyre. Janë evakuuar rreth 100 familje nga FSK, zjarrfikësit dhe vullnetarë. Ne dje e kemi shpallur gjendjen e emergjencës civile”, tha ai.
Tahiri u shpreh se ka pasur dëme të mëdha edhe në toka bujqësore dhe ferma.
Ai bëri të ditur që 120 dele janë mbytur në një fermë dhe ekipet e shpëtimit nuk kanë arritur t’i shpëtojnë ato.
Po ashtu, niveli i ujit ka filluar të bie, situata ka filluar të qetësohet.
“Të gjitha ekipet komunale janë duke u dalë në ndihmë banorëve qe sa më lehtë të përballojnë këtë situatë. Komuna ka zero fonde që të ndihmojë këto familje. Duhet të ketë përkrahje nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.
Shkolla “Naim Frashëri” dhe Palestra e Sportit në Samadrexhë do të shfrytëzohen për strehim në rast nevoje të këtyre familjeve.