Një përleshje mes disa familjarëve ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30 në rrugën “Ramadan Zaskoci”, në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e kësaj përleshjeje, dy vëllezër kanë mbetur të therur me thikë.
Gazeta Sinjali merr vesh se në këtë rast janë të përfshirë: Shadin Krasniqi (51 vjeçar), djali i tij Ditmiri (28-vjeçar) dhe Zabidin Krasniqi (43-vjeçar), si dhe djali i tij, Lirimi (22-vjeçar).
Një burim brenda Prokurorisë Themelore në Prizren i ka thënë Sinjalit se të dyshuari ishin fjalosur mes vete për motive të ulëta mes familjeve.
Rrahja e tyre kishte filluar me grushte dhe shqelma, derisa Lirimi me një thikë kuzhine dyshohet se ka goditur axhën e tij, Shadinin dhe djalin e axhës së tij, Ditmirin, duke ju shkaktuar lëndime trupore.
Nga kjo përleshje, lëndime trupore përveç katër të lartcekurve, kanë pësuar edhe A.K. (18-vjeçare) dhe G.K. (12-vjeçare), vajzat e Zabidini.
Policia ka arrestuar katër të dyshuarit për këtë rast, dy prej të cilëve, Shadini dhe djali i tij, Ditmiri, janë duke u trajtuar ende në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sinjali merr vesh se të dy janë jashtë rrezikut për jetë dhe se janë në mbikëqyrjen 24-orëshe të policisë.
Ky burim i ka thënë gazetës se prokurorja e rastit ka urdhëruar që katër të dyshuarit të ndalohen për 48 orë, derisa thika e kuzhinës e cila dyshohet se është përdorur nga 19-vjeçari, është konfiskuar si provë materiale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/