image Përleshja me shufra metalike dhe armë zjarri mes policëve dhe qytetarëve në Fushë Kosovë: 5 persona dërgohen në spital

Siguri

Përleshja me shufra metalike dhe armë zjarri mes policëve dhe qytetarëve në Fushë Kosovë: 5 persona dërgohen në spital

news image

Sot, rreth orë 14:00, në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, disa persona kanë sulmuar zyrtarët policorë me shufra hekuri, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë, se motivi i këtij sulmi ishte parkimi i një veture para një restoranti, të cilën policët kishin shkuar për ta larguar.

Por, policët kishin hasur në rezistencë nga disa persona të dyshuar, të cilët kishin dalë nga restoranti dhe kishin sulmuar policët me shufra hekuri.

Andaj, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armën e zjarrit, duke lënë të plagosur kështu njërin nga të dyshuarit.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se nga ky rast kanë mbetur të lënduar pesë persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë policorë.

Sipas Ahmetit, të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 14:00, policia ka marrë informacionin për një sulm ndaj personave zyrtar në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit ndërsa nga përleshja fizike lëndime trupore kanë pësuar 5 persona prej tyre dy zyrtarë policor. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit.

Ajo tha se dy nga personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor, ndërkaq në koordinim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, ka nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin./Gazeta Sinjali